“Osmani, zhgënjimi më i madh i jetës time”, Halili nuk e njeh titullin e Partizanit: Me Shehin dolëm dy vite kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 23:20

“Osmani, zhgënjimi më i madh i jetës time”, Halili nuk e njeh titullin e Partizanit: Me Shehin dolëm dy vite kampion

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, e ka konsideruar Tefik Osmanin si zhgënjimin e madh të tij, ndërsa Orges Shehin një nga trajnerët më të suksesshëm të bardhebluve. I ftuar në emisionin “Elite Show” në “Supersport”, kreu i klubit bardheblu preku shumë tema që lidhen me situatën te Tirana, por jo vetëm.

Halili Osmani

Fillimisht, ai iu përgjigj pyetjes nëse ishte dakord me skemën aktuale të kampionatit, ku në fund do të ketë një “Final 4” për titullin: “Unë isha kundër kësaj skeme”.

PËR SHEHIN – Halili nuk e njeh titullin e vjetshëm të fituar nga Partizani, pasi e konsideron Shehin (ish-trajnerin e bardhebluve, që sot drejton “demat”), si triumfues dy herë radhazi. “Nëse do më thoni kush ishte trajneri më i mirë, do të flisja për periudhën që ka qenë Orges Shehi. Ka drejtuar më gjatë se askush tjetër Tiranën. Me drejtimin e Shehit dhe të drejtorit Osmani, ne kemi dalë 2 vite kampion për mendimin tim, pavarësisht se ai kampionat u humb si u humb. Mendoj se Shehi ka qenë shumë trajner i suksesshëm”, ka thënë Halili për durrsakun.

PËR OSMANIN – Presidenti i Tiranës ka komentuar edhe largimin e Tefik Osmanit si drejtor sportiv nga bardheblutë te Vllaznia. “Zhgënjimi më i madh i jetës sime. Nuk e di pse u largua, por pyesni Osmanin. Ndoshta ngaqë unë pata një takim me kapitenin Najdovski dhe ai mendoi se i hoqëm spaletat. Mirëpo, spaletat u janë hequr gjeneralëve më të mëdhenj. Tani ka shkuar te Vllaznia dhe ka thënë se do të ketë shumë investime dhe do të fitojë titullin kampion aty”, deklaroi kreu i bardhebluve.

PËR AKADEMINË – Largimi nga Tirana drejt Dinamos i mesfushorit Klevi Qefalija bëri jo pak përshtypje në merkaton e janarit. Për këtë, Halili sqaroi edhe politikën që klubi po ndjek me të rinjtë. “Nuk dua të pengoj futbollistët që dalin nga akademia jonë. Jemi furnizuesi më i madh i kampionatit shqiptar. Mund të jetë menaxhim i gabuar, por unë nuk do ndryshoj me futbollistët të cilët rriten te akademia jonë. Do jap letrat të shkojnë të luajë në Kategorinë e Parë apo të Dytë. Kemi filluar të përdorim diçka tjetër dhe ne po e bëjmë me përqindje kartonësh, si në rastin e Qefalijas, i cili ka qenë i dëmtuar dhe i pafat pas asaj që pësoi në ndeshjen në Rrogozhinë.

Kemi edhe të rinj si Jordi Jaku dhe po ju them që ka një ofertë 200 mijë euro në Gjermani për të. 100 do t’i paguhen sapo të mbushë 18 vjeç dhe 100 të tjera që Jaku ka luajtur pak minuta te ne. Ne po bëjmë diçka të kujdesshme dhe futbollistëve nuk do ua pengojmë karrierën. Nuk po bëhemi të këqij”, ka përfunduar presidenti i klubit me më shumë trofe në Shqipëri. Ai numëron 19 trofe që nga koha kur për herë të parë vendosi të sponsorizojë te Tirana.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"