S’do themi më “Estrada e Ballshit”, por “penalltia qorre e Ballshit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2020 | 19:28

S’do themi më “Estrada e Ballshit”, por “penalltia qorre e Ballshit”

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Mund të thuhet se ishte penalltia që i çmendi të gjithë, sepse askush nuk mbeti pa vënë duart në kokë! Në muzeun e “penalltive budallaqe”, ajo që lindi nga hiçmosgjëja në Ballsh, gjatë ndeshjes BylisVllaznia, do të zërë një vend “nderi” në vitrinën e shpikjeve me bilbil.

Kjo dhe për efektin e dyfishtë dhe patologjik që pati te dy ekipet. Sapo u dha penalltia, ku arbitrit kurrizi i lojtarit iu shfaq si dorë, ishte Vllaznia që u bë gati të braktiste fushën, ndërsa kur penalltia u anulua me Var-in telefonik, rolet ndryshuan dhe ishte Bylisi që donte t’ia mbathte nga fusha, me bindjen e verbër se po i bënin padrejtësinë e shekullit. Sido që të flitet tani, ajo që ndodhi në Ballsh do të bëjë histori.

Dikur thuhej me shpoti “Estrada e Ballshit”, me siguri kjo penallti do të meritojë pagëzimin veçues “penalltia e Ballshit”. Kjo “penalltia e Ballshit” lindi nga hiçmosgjëja, poshtë në fushë, për meritë të një arbitri, për të cilin thuhej se i kishte kaluar me sukses provat tek okulisti.

bandicam 2020-02-03 16-01-02-122

Por sa minuta jetoi kjo penallti gjëmëmadhe? Për aq kohë sa “okulistët” e Superiores, disa kilometra larg nga stadiumi, i bënë VARin penalltisë, duke e varrosur në një fushë, ku kanë vite që nuk janë të mirëpritur. Ballshiotët e kanë parë me sytë e tyre, por presidenti Kapllanaj e tha me gojën e tij se çunat e FSHF-së (pra, kamikazët e sistemit) vraponin me telefona nëpër duar në mjediset e stadiumit, gati duke u rrëzuar në çdo moment, ngaqë nga Tirana po vononte lajmi nëse ishte “djalë” apo “vajzë”!

Vllaznia-Bylis

Tani, edhe pse thuhet se ngjarja e Ballshit do të zbehet shpejt, ngaqë priten mrekulli të tjera dhe Superiorja do të verbohet më shumë në javët që do të vijnë, kjo deklarata e administratorit të Vllaznisë, Suad Lici, do të mbetet si kambanë deri në fund të këtij sezoni. “E dini ç’ishte kjo penallti? Po i bëjnë gati rrugën e titullit Tiranës…”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"