Legjenda Ali Mema dhe “armiqësia” Tirana-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2019 | 12:03

Legjenda Ali Mema dhe “armiqësia” Tirana-Partizani

EDUARD ZALOSHNJA

Zaloshnja

Me ndarjen nga jeta të Ali Memës (ndoshta futbollistit më të mirë të historisë së “Tironës” pas Riza Lushtës), tifozët tiranas dhe sportdashësit e tjerë risjellin në bisedat e tyre histori nga i gjati rivalitet (thënë ndryshe, “armiqësi”) mes “Tironës” dhe Partizanit, dy klubeve më të titulluara shqiptare.

“Armiqësia” e tifozëve të “Tironës” me Partizanin ka nisur që me themelimin e këtij të fundit, në vitin 1946. Deri atëherë, “Tirona” kishte vetëm rivalë sportivë, si Vllaznia, Skënderbeu, Flamurtari, Besa, Tomori etj., ndaj të cilëve kishte dalë fituese në më të shumtën e herëve. Disa lojtarë të famshëm të saj kishin shkëlqyer në Serinë A të Italisë (si Riza Lushta me Juventusin, Naim Kryeziu me Romën dhe Sllave Llambi me Ambrosianën, siç quhej atëherë Interi). Por me themelimin e Partizanit, gjërat ndryshuan…

Ali Mema5

Ekipi i futbollit të Partizanit u krijua duke grumbulluar lojtarët më të mirë të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, përmes shërbimit të detyruar ushtarak (Partizani ishte atëherë klubi i Ministrisë së Mbrojtjes). Ndërsa të gjitha klubeve të tjera iu ndryshua emri, duke u quajtur “Puna” (kishim Punën e Tiranës, të Shkodrës, Vlorës, Elbasanit, Fierit, etj., etj.). Dhe Partizani fitonte lehtësisht ndaj të gjitha ekipeve me emrin “Puna”… Në vitin 1958, “Tironës” (siç vazhdonin ta quanin tifozët e vet) iu vu emri “17 nëntori”. Në atë kohë, në ekipin e të rinjve të saj, spikasnin të rinj me talent si Panajot Pano, Ali Mema, Fatmir Frashëri, Skënder Halili, Pavllo Bukoviku, etj. Dhe dukej se ai grup të rinjsh do të sfidonte për herë të parë Partizanin e gjithëfuqishëm të kohës.

Por s’ishte thënë… Partizani detyroi shumicën e tiranasve të rinj të luanin për të,  përmes shërbimit të detyruar ushtarak (ata që nuk pranuan i degdisi ushtarë në rrethe të largëta të Shqipërisë, ndërsa Skënder Halilin “e përlau” Dinamoja e krijuar rishtas e Ministrisë së Brendshme). Tifozët e “Tironës” zienin nga inati tek shihnin beniaminët e tyre të shkëlqenin te Partizani e Dinamo, por këta të fundit, pasi mbaruan shërbimin ushtarak, u kthyen tek ekipi mëmë. Përveç njërit – Panajot Panos. Dhe ishte një kthim që e shpërbleu pritjen e gjatë të tifozëve tiranas.

Ali Mema

Në vitet ’60 “Tirona” ishte një ekip që e dominoi kampionatin shqiptar, pavarësisht favorizimeve që u bënte sistemi ekipeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme – Partizanit dhe Dinamos. “Tirona” ishte ekipi i parë në futbollin shqiptar që aplikoi lojën totale – mbrojtësit e saj anësorë (Fatmir Frashëri dhe Gëzim Kasmi) ishin njëkohësisht edhe sulmues anësorë, Ali Mema ishte mesfushori i kudondodhur, ndërsa qendërmbrojtësi Skënder Halili ishte “Bekenbaueri” shqiptar, para se Bekenbaueri të kthehej nga mesfusha, në qendër të mbrojtjes gjermane… Ky sukses i “Tironës” solli edhe xhelozinë e sistemit – sistemi nuk mund t’ua falte këtë sukses lojtarëve rebelë, që nuk kishin pranuar të qëndronin te Partizani apo Dinamo.

Dhe viktima e parë ishte Skënder Halili, i cili u dënua me burg për një orë dore që e kaloi pa deklaruar në dogana (ai s’kishte pranuar të qëndronte te Dinamo, ekipi i Ministrisë së Brendshme). Një hakmarrje tjetër qe heqja e titullit kampion në vitin 1967, pas trazirave në shkallët e stadiumit, në ndeshjen ndaj Partizanit. Ndërsa një tjetër hakmarrje ishte burgosja dhe internimi i disa tifozëve tiranas për festimin e tyre demonstrativ para Shtëpisë së Oficerëve (ata po ktheheshin me fitore nga Durrësi, ku “Tirona” ishte shpallur kampione). Si rezultat i padrejtësive që i bënte sistemi shtetëror “Tironës”, si futbollistët edhe tifozët, i shihnin fitoret e kampionateve e kupave, e sidomos fitoret ndaj Partizanit e Dinamos, si një sfidë ndaj sistemit. Ishte një sistem që nuk mund ta sfidoje hapur, por të paktën mund ta sfidoje tërthorazi – në futboll…

Me largim e brezit të artë të viteve ’60, te futbollistët e “Tironës”, nuk mbizotëronte më fryma antisistem (bënin përjashtim Hajri Frashëri, Sul Mema, Millan Baçi, Agustin Kola, etj.). Por te tifozët e saj fryma antisistem sa vinte e shtohej. Në fund të viteve ’80, në shkallët e stadiumit dëgjoheshin jo vetëm të shara ndaj Partizanit e Dinamos, por edhe ironira ndaj ministrive përkatëse. Me ardhjen e demokracisë, klubet e futbollit shqiptar morën një ngjyrim të fortë komercial – lojtarë të Partizanit apo Dinamos janë shitur te “Tirona” dhe anasjelltas. Si rezultat, u zbeh edhe arsyeja e tifozëve tiranas për të qenë antisistem – siç kishin qenë për 45 vjet.

ali-mema

Por kohët e fundit, disa zhvillime te Partizani kanë ringjallur fuqishëm te ta ndjenjën antisistem (pavarësisht se lojtarët vazhdojnë të ikin e të vijnë, në bazë të kontratave komerciale). Kështu, me ardhjen e një socialisti në krye të Bashkisë së Tiranës, Partizani arriti një marrëveshje me presidentin e “Tironës”, që të zhvillojë ndeshje në stadiumin “Selman Stërmësi”. Për tifozët e “Tironës” është një sakrilegj që një pasardhës i Skënder Halilit të pranojë (nën trysninë e pushtetit), që Partizani të luajë pikërisht në stadiumin që mban emrin e themeluesit legjendar të “Tironës”.

Ndërsa së fundmi, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë është bërë drejtor sportiv i Partizanit, duke u kujtuar “tironsave” kohën kur Beqir Balluku e Petrit Dume ishin drejtorë de facto të Partizanit dhe diskriminonin “Tironën”, e cila ishte përballur denjësisht me Kilmarnokun, Standard Liezhin dhe Ajaksin e famshëm të Johan Krojfit. Nga ana tjetër, në krye të “Tironës” tani është Ardi Mema, biri i legjendës së ndjerë Ali Mema. Përballjet e “Tironës” me Partizanin në vazhdim ndoshta do të jenë po aq të nxehta sa në vitet ’60…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"