Një çështje atdhetarie që nuk i përket FSHF-së, por Presidencës së Republikës dhe Parlamentit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 21:32

Një çështje atdhetarie që nuk i përket FSHF-së, por Presidencës së Republikës dhe Parlamentit të Shqipërisë

NGA BESNIK DIZDARI 

E kam fjalën për shtimin e skuadrave për kampionatin 2022-2023 që do të fillojë këtë gusht. Dhe për këtë problem tejet të mprehtë kombëtar, them se i duhet hequr e drejta FSHF-së. Kësisoj, ngaqë ajo ka vërtetuar se nuk ka dhimbje për situatën joatdhetare që ka krijuar me varfërimin e kampionatit të Shqipërisë.

Meta Nikolla

Ndërkohë që ka kaluar në dy arroganca që do të mbesin historike, natyrisht për të keq, që janë: mosdëgjimi dhe mosdhënia përgjigje për gati 3 vjet kërkesës së rreth 30 klubeve të futbollit për shtimin e skuadrave në kampionat; dhe mbi të gjitha, për shuarjen e Ligës Kombëtare të Futbollit, edhe pse ajo qe krejt artificiale. Dhe me prepotencë ka marrë pra përsipër të gjitha kompetencat e Ligës, siç i kanë të gjitha shtetet e botës dhe të Europës.

Tashmë gjithçka ka kaluar çdo arsye. Pra, joatdhetaria e FSHF-së që vazhdon të rrethohet prej një nënshtrimi unikal, duhet ndalur. E, këtë nuk mund ta bëjë më Komiteti i saj Ekzekutiv thuajse lokal dhe jokombëtar në përbërjen e tij, por shteti e Parlamenti i Shqipërisë. Se për sa i përket ministrisë përkatëse apo dhe KOKSH-it, prej kohësh jemi bindur se nuk u dhimbet as Korça, as Vlora, as Elbasani, as Berati, as Kavaja, as Gjirokastra, as Dinamoja, as Fieri, as Lushnja – të gjitha në Kategorinë 2, madje dhe në 3! Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kampionatin e Shqipërisë.

Nëse kjo FSHF mendon se forcat apo themelet e kampionatit të Shqipërisë janë, bie fjala, Shijaku apo Rrogozhina, madje qoftë edhe Laçi, Kukësi, Ballshi a Kruja tek të cilat secila nuk kanë as 10 a 15 për qind lojtarë të tyre dhe të cilët përbëjnë vetëm 1/ 10-ën e popullsisë qytetare të Shqipërisë, atëherë Shqipërinë nuk ia vlen ta llogarisësh si shtet europian. Kështu, kemi mbërritur: që në kampionatin e Shqipërisë prej themeluesve dhe zhvilluesve gati shekullorë të tij, kanë mbetur vetëm skuadrat e 3 qyteteve: Tiranë, Shkodër dhe Durrës! Mjerim historik!

Ndonëse kjo nuk do të thotë se nuk respektojmë arritjen e këtyre qendrave të vogla banimi në forcimin e skuadrave të tyre të futbollit. Pra, shtet dhe Parlament, ndërhyni nëse vërtet kërkoni të na bindni se udhëhiqeni nga ndjenja sublime e atdhetarisë. E sporti dhe futbolli dihet, janë edhe ata pjesë shpirtërore, madje dhe “fizike”, e atdhetarisë së një kombi.

Nuk po përsërisim, por vetëm po ju kujtojmë: shkoni te një ndër shtetet më futbollistike të botës, që është Italia fqinje, e cila sa herë që Federata Italiane e Futbollit ka shkarë, ka flakur tej me president e Komitet Ekzekutiv të saj dhe ka vendosur vetë për të ndalur krizat. Kështu pra. Dhe ja se si na fton atdhetaria shqiptare për organizimin e këtij kampionati:

Një kampionat i Shqipërisë 2022-‘23 që të ketë këto 16 skuadra pjesëmarrëse:

1. SK TIRANA / Tiranë

2. PARTIZANI / Tiranë

3. KF LAÇI / Laç

4. KF KUKËSI / Kukës

5. VLLAZNIA / Shkodër

6. TEUTA / Durrës

7. KASTRIOTI / Krujë

8. EGNATIA / Rrogozhinë

9. DINAMO / Tiranë

10.SKËNDERBEU / Korçë

11.BYLIS / Ballsh

12.ERZENI / Shijak

13.KORABI / Peshkopi

14.APOLONIA / Fier

15.TËRBUNI / Pukë

16.TOMORI / Berat

E formova këtë 16-she duke vendosur që të mos ketë zbritje në Kategorinë 2, pra të qëndrojnë Dinamo e Skënderbeu dhe të shtohen 6 skuadrat e 6 vendeve të para të Kategorisë 2 (se 2 është) që janë pra, Bylisi, Erzeni, Korabi, Apolonia, Tërbuni dhe Tomori.

Askush dhe asgjë nuk pengon për këtë ndryshim. Shqipëria këtë e ka bërë disa herë gjatë gjithë 93 vjetëve të kampionatit të saj (1930-2022) që është ndër më të hershmit në Europë. E patë edhe këtë sezon se si krejt papritmas e bënë Kategorinë 2 me 16 skuadra pa pyetur askënd dhe po kështu rrufeshëm po e bëkan me 14!

Shtet apo Presidencë dhe Parlament, ndërhyni, ndalojani kompetencat dhe vendimet joatdhetare FSHF-së! Dhe me këtë mos kujtoni se jam me ndërhyrjet arrogante të pushteteve lokale si rasti i ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës dhe njeriut të ngarkuar me detyrën e kryetarit të bashkisë, për të shkatërruar zgjedhjet e FSHF-së, siç ndodhi para pak. Po, për fat të mirë, dështuan.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"