“Armiqtë” e vërtetë dhe “miqtë” e rremë të Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2019 | 21:25

“Armiqtë” e vërtetë dhe “miqtë” e rremë të Kosovës

 BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Skuadra përfaqësuese e Kosovës është themeluar në kuadrin e festimeve të 30- vjetorit të pavarësisë në Tiranë, më 29 nëntor (jo 28) 1942 me ndeshjen Përfaqësuesja e Tiranës–Kosova 2-0. Dhe, siç e kam botuar te Libri i 3-të ekskluziv “Historia e Kampionateve të Shqipërisë, – vitet ’30-’40″ nën praninë e inspiruesit të kësaj ndeshjeje, ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, pamja e saj ishte kjo:

PËRFAQËSUESJA E TIRANËS – PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS 2-0

Tiranë, Shallvare, 29 nëntor 1942

TIRANA: LAÇEJ, HIMA, QIRIQI, KURANI, KOXHJA, DEMNERI, BALLA, DERANI, LISI, BYLYKU, VISHA.

KOSOVA: DACI, BALLANCA, ZAIMI, XERXA, VESELI, HAMZA, DYLATAHU, VRANIQI, BARBAROGIQ, BAJRAMI, HENCI.

GOLAT: Ali VISHA 5′, Zyber LISI 89′.

GJYQTAR: Abdurrahman Toptani.

Ndërkaq, për hir të së vërtetës historike, shënoj edhe këtu se mbas luftës Kosova kulmon me ndeshjen e famshme miqësore, nën drejtimin e trajnerit Arsim Fehmiu, 8 nëntor 1967, në Prishtinë. Është Kosova–Jugosllavia 3- 3. Mu në prag të ndeshjes Jugosllavia–Shqipëria 4-0. (Për hollësi, shih librin e fundit “Sabah Bizi … Dhe brezi i tij”). Mandej, më 1975, Kosova luan turneun futbollistik “Vëllazërim-Bashkim” në Prishtinë e Prizren, duke zënë vendin e parë madje:

Kosova – Mali i Zi 2-0

Kosova – B. Hercegovina 2-1

Kosova – Sllovenia 2-0

Kosova – Maqedonia 1-0

Por me një të metë të madhe: vetëm pesë lojtarë ishin të kombësisë shqiptare. Tek e vona, 14 shkurt 1993, mbërrin ndeshja miqësore e Tiranës, Shqipëri–Kosovë 3-1. Beselica, Berisha, Sadriu, Seferi, Llapashtica, Jerliu, Munishi, Ajeti, Sahiti, Hoxha, Kozniku… Dhe mbas një dekade, ndeshja e dytë e saj, prapë Kosovë–Shqipëri, por 0-1, tash në Prishtinë më 7 shtator 2002. Kësisoj, në njëfarë mënyre, jashtë kufijve të saj Kosova është themeluar tejet me mbështetjen e Shqipërisë. Shtatë vjet më vonë, më 2 nëntor 2009, vjen ndeshja e parë ndërkombëse, ajo Qipro Veriore–Kosovë 1-0, në Nikosia. E mbas saj të tjerat, të pandalshmet. Nuk ka më ndalesa, pra. Maja e parë e kësaj historie të bujshme të sportit e të politikës, të themelimit të një shteti e të një pavarësie të pandalshme, është ndeshja për Kupën e Botës, Finlandë–Kosovë 1-1.

Është 5 shtator 2016. Kosova ishte bërë anëtare e UEFA-s dhe e FIFA-s. Ishte bërë edhe pse një Shqipëri televizive, por dhe jo, buçiste me thirrjet deri në kupë të qiellit: “Një komb-një Kombëtare!”. Ndërsa ne, pa asnjë drojë shkruanim edhe në faqet e kësaj gazete, se Kosova do ta ketë Kombëtaren e saj veçan nga Shqipëria, ashtu siç kishte edhe shtetin e saj veçan nga Shqipëria. Këto ditë, mbas fitores së bujshme 2-1 për Kampionatin e Europës ndaj Republikës Çeke – dikur si Çekosllovaki Nënkampione e Botës dhe Kampione e Europës – ndodhi pra, që “armiqtë”e Kosovës të kthehen në “miq” të Kosovës. Ishin po ata, të cilët pak vite më parë çka nuk mallkuan. Madje, duke i quajtur deri dhe “tradhtarë” ata futbollistë zviceranë të Kosovës, të cilët nuk po vinin të luanin me Shqipërinë.

celina kosova

Ndonëse presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës me shokët e tij, i paharrueshmi Fadil Vokrri, luftonte orë e çast për pranimin e saj në FIFA. Në Shqipëri rrëmonin “armiqtë” e saj, teksa FSHF-ja hiqej sikur po lobonte për pranimin e saj, ndonëse, përveç të tjerave, në thelb ajo nuk kishte asgjë në dorë. Ishin të tjerë. Nuk mund të harrohen dy njerëz. Mbi të gjithë, Fadili, i cili kishte në krah gazetarin e shquar, të paharrueshmin Agim Binaku. Në Shqipëri kisha mbet thuajse i vetëm. Qysh më parë, “France Football” kishte kushtuar radhazi faqe pro Kosovës, duke kulmuar me një shkrim gjeopolitik krejt të rrallë, paksa duke kontribuar edhe autori i këtushëm. “FF” skiconte edhe hartën e Kosovës së pavarun me të gjitha të dhënat për futbollin e saj, që shpejt do të kishte edhe ajo Kombëtaren e saj po të pavarun.

Ndërkohë, unë i dërgoja presidentit të UEFA-s, të njohurit tim të vjetër qysh me ndeshjen e Parisit Francë– Shqipëri ‘91, Michel Platinisë, asokohe trajner i Francës, një letër publike për pranimin e Kosovës. E botova në dy gazeta e revista, anglisht dhe shqip. E mendoja mik të shqiptarëve, Michelin, edhe kur shihja se si ai pritej në Tiranë me përulje të spikatuna prej FSHF-së. Por ai, jo thjesht një skeptik, por thuajse kundërshtar, asesi nuk e donte Kosovën në UEFA e FIFA. Tjetër president i FIFA-s, Joseph Blatter, i cili mbeti në histori me thënien e tij që u bë emblematike: “Ata duan të luajnë, nuk mund t’i pengojmë”. Kosova triumfoi, duke u bërë anëtare e FIFA-s dhe e UEFA-s, duke rrëzuar kështu edhe dëshirën e “armiqve” të saj të tokës arbnore, ata të sloganit pseudokombëtar: “Një komb – një Kombëtare!”.

Kosova

Tash i kthehem ndonjë ekrani televiziv të sotëm të Tiranës, ku thuajse shpërtheu euforia për arritjet e Kosovës së këtyre ditëve.. Si të ishte Kombëtarja jo e Kosovës, por e Shqipërisë. Toni madje qe kaq euforik, saqë gëzimi i stilit arkaik të gazetarisë së Tiranës kishte harruar apo bënte sikur kishte harruar anatemat “armiqësore” të pak viteve më parë. Kujtojnë se harrojmë kaq lehtësisht… Dhe Kosova për histori. Si për inat të “armiqve”, të cilët nuk e donin të ekzistonte, ose e donin vetëm për t’ia rrëmbyer talentet e saj për Federatën Shqiptare të Futbollit. (Ndërkaq, aty-këtu po dëgjojmë deri thirrjen e atdhetarisë nr.2, për fat ende të zbehtë: “T’u kthehemi futbollistëve shqiptarë të Maqedonisë”). Mirëpo, e rëndësishme është se mbërritëm te Kosova e plot 15 ndeshjeve rresht pa humbur, me në krye atë 3-0 ndaj Shqipërisë “së saj”. Tek janë:

Kosova – Letonia 4-3

Kosova – Madagaskar 1-0

Kosova – Burkina Faso 2-0

Kosova – Shqipëria 3-0

Azerbajxhani – Kosova 0-0

Kosova – Ishujt Faroe 2-0

Kosova – Malta 3-1

Ishujt Faroe – Kosova 1-1

Malta – Kosova 0-5

Kosova – Azerbajxhani 4-0

Kosova – Danimarka 2-2

Kosova – Bullgaria 1-1

Mali i Zi – Kosova 1-1

Bullgaria – Kosova 2-3

Kosova – Rep.Çeke 2-1

Një hark kohor 13 nëntor 2018–10 shtator 2020. Ku 10 shtatori 2020 është ai i humbjes mbas 15 ndeshjeve: Angli–Kosovë 5-3. Goleadë rrokullisëse, që gjithsesi prapë i bën nder të madh Kosovës. Rrallë mund të ndodhë që një humbje mbas 15 moshumbjeve të bëhet emblema e respektit të madh. E prej kujt? Prej themelueses botërore, Anglisë mbretërore të futbollit të rruzullit. Kështu, Kosova, mbasi u bë edhe fituese e grupit të saj në premierat e Ligës së Kombeve të Europës, shndërrohet në pretendente për finalet e “EURO 2020”, teksa zë vendin e tretë në grupin e saj, me vetëm 1 pikë larg të dytit. Këtu duket se merr fund historia. Historia e “armiqve” shqiptarë të Kosovës, të cilët përmes një propagande të nacionalizmit të rremë – “një kombëtare–një komb” – deshën të ndalnin një histori të shqiptarësisë së pavarun të Kosovës së futbollit.

Kanë arritur vetëm dy gjëra: “të zhdukin” këngën e fuqishme atdhetare “Xhamadani vija-vija” dhe mijërat e spektatorëve “kuqezinj”, të cilët janë transferuar në stadiumet e Kosovës ose të Europës, ku luan Kosova e tyre. Ajo Kosovë, të cilën donin ta shuanin, dashur apo pa dashur, edhe nën heshtjen e FSHF-së që nuk bëzante. Të paktën të bëzante duke treguar ajo e para rregulloren e FIFA-s për këto punë. (Edhe këtë bëmë ne). Ose bëzante, teksa çuditërisht edhe pse disi zbehtë, dëgjohej ajo që i përngjante një retiçence: “Nuk ka rëndësi, vetë djemtë kosovarë mund të luajnë aty ku dëshirojnë”. Nuk ka vlerë. Ky kapitull mbyllet këtu. E megjithatë, vetvetiu, pa menduar gjatë se shpejt do të mbërrinte ndarja, Shqipëria, pa dashur, pa e ditur se ku do të mbërrinte, e ka mbështetur fort themelimin e Kombëtares së Kosovës.

E ka mbështetur duke e ndërtuar Kombëtaren e saj të Republikës së Shqipërisë me lojtarë europianë të Kosovës, madje pa ia da. Si të thuash, iu ka dhënë përvojën e gjeopolitikës së futbollit përfaqësues, duke ua blatuar një fanellë kombëtare, duke iu ka treguar se çka është një skuadër kombëtare. Dhe lidhja që ende duket sikur mbetet, kur kujton bie fjala, se emrave të tillë si Ujkani, Aliti, Rrahmani, Vojvoda apo Muriqi ende nuk iu është tha djersa e fanellës së kuqe të Shqipërisë së 21- vjeçarëve apo dhe të Kombëtares së saj, të cilën ata e mbajtën me nder. E gjitha kjo është një lloj mpleksjeje, që vjen veç prej atdhetarisë e mirëkuptimit. Dhe i kujtoni ndërkaq tifozët shqiptarë të Kosovës, ata “kuqezinj”, që mësuan tifozërinë e Shqipërisë, me flamuj gjigantë, më këngën e Xhamadanit, me thirrjet e papame, tek mbajtën peshën e një mbështetjeje gjigante për Kombëtaren e Shqipërisë, çka nuk ishte pa ndonjëherë më parë… E tash, mos gjithçka u shua? Në njëfarë mënyre po.

kosova

Është një shuarje që të gëzon. Ashtu siç gëzon çdo atdhetar shqiptar vetë pavarësia e Republikës së Kosovës. Shqipërisë i takon të heshtë. Ngaqë duket shumë artificiale, kur me euforinë e ndonjë grupi mashtrimisht të penduar, don thuajse ta përvetësojë suksesin e Kombëtares së Kosovës. Si të ishte i Shqipërisë. Madje, gati-gati si të ishte meritë e Shqipërisë. Në të vërtetë nuk është i Shqipërisë, por është i Republikës së Kosovës. Tjetër punë që është edhe i shqiptarësisë. Çka natyrisht të gëzon si në një bashkëkombësi. “Armiqtë” e Kosovës nuk i beson askush se u bënë “miqtë”e Kombëtares së Kosovës. Ngaqë nuk mund të harrohet “armiqësia” e tyre futbollistike e mbushur me megalomani, vetëkënaqësi, “kompetencë” e prepotencë, deri aty saqë guxuan të ngrinin edhe “kampe rrëmbim talentesh” në tokën e shtetit të Zvicrës, i cili me gjithë kavalerizmin e tij, u shqetësua disi. Ndonëse kishte kuptuar tashmâ konsumimin e “tradhtisë”, që shtetasve të saj zviceranë të Kosovës po kërkonte t’ia mveshnin disa shqiptarë të Tiranës.

Këtu merr fund historia për të filluar një histori tjetër, ajo e bashkëpunimit. Askush nuk mund të të pengojë që të themelosh turne Kosovë–Shqipëri. Askush nuk mund të pengojë që të shumohen ndeshjet miqësore midis skuadrave përfaqësuese të dy shteteve. Askush nuk mund ta pengojë organizimin e një kupe Kosovë–Shqipëri, ta zëmë “Lushta–Kryeziu”. E kam kujtuar një herë se shoqërisë sportive (klubit) të Kukësit qysh në vitet ’30, Mbretëria i dha emrin “Kosova”. Emër që klubi i sotëm i Kukësit e ka për nder atdhetarie ta rikthejë. Askush nuk mund të pengojë që një stadium në Shqipëri pra, të ketë emrin e dyshes legjendare shqiptare të Kosovës, atë “Lushta–Kryeziu”.

Ishin të parët qysh në vitet ’40, që i treguan Europës sportive se Tirana e Shqipërisë së vogël kishte lindur e formuar futbollistë të klasit europian. Vetëm kështu do t’i harrojmë “armiqtë” e vërtetë të Kosovës së futbollit dhe përpjekjet e tyre për t’u shndërruar në “miq” të rremë të saj. Kështu, edhe ata vetë do të mund të flakin tej servilizmin e tashëm të tyre federalist. Asnjëherë si sot në historinë e drejtimit të futbollit në Shqipëri nuk është pa ky nënshtrim ndaj një prepotence po federaliste kësisoj, çka për gjithë këto vite mbështolli jo pak edhe marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë të futbollit. Dhe jo vetëm të futbollit. Por kjo i përket dikujt tjetër. Ndoshta faqeve të gazetës tjetër, asaj “Panorama”.

Fund

————————

Për vazhdimësi, shih tri shkrimet e botuara më 12, 13 dhe 14 shtator 2019, në “Panorama Sport”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"