Zotit Mustafa Nano, për rolin politik të sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2021 | 13:08

Zotit Mustafa Nano, për rolin politik të sportit

Nga ARTAN SHYTI

pjimage (2)

Mustafa Nanon e lexoj dhe dëgjoj me shumë interes, edhe kur rrallëherë nuk kam të njëjtën mendje me të. Kështu ndodhi edhe me opinionin e tij të fundit të publikuar në gazetën “Panorama” më 18 qershor. Ai nuk është dakord për shfrytëzimin e ndeshjeve të Europianit për të dhënë një mesazh politik nga sportistët, duke u ulur në gjunjë përpara fillimit të ndeshjes, si mesazh kundër racizmit. Duke respektuar qëndrimin e tij, besoj se duhet sqaruar si qëndron raporti i sportit me politikën. Fillimisht, duhet theksuar që të ndash sportin nga pjesa tjetër e shqetësimeve të njerëzimit mund të mbetet dëshirë e kuptueshme, por praktikisht utopike. Sporti nuk ka qenë e nuk do të jetë as në të ardhmen një aktivitet thjesht zbavitës, jashtë interesave politikë, ekonomikë e socialë. Kjo po bëhet gjithnjë e më e qartë.

Për të mos e bërë “leksion” këtë reagim timin, po e konkretizoj me shembuj nga historia e viteve të fundit, megjithëse shembujt mund të fillojnë që në lashtësi. “CNN”, në një artikull shumë interesant të James Montague më 13 janar 2011, me titull “Pesë ndeshjet e futbollit që ndryshuan historinë e botës”, përmend si një nga ato, finalen e Kupës së Botës 1954, fituar nga Gjermania. Autori i artikullit i referohet në të, një shkrimi të “Der Spiegel”, përpara fillimit të Kupës së Botës 2006, që thekson se fitorja e Kupës së Botës nga Gjermania në 1954 shënon daljen e saj nga humnera ku e kishte çuar nazizmi dhe humbja e Luftës së Dytë Botërore dhe fillimin e rrugës për t’u bërë superfuqia e sotme.

“Në 90 minuta të asaj finaleje futbolli lindi Gjermania e madhe që njohim sot”, citon “CNN” artikullin e “Der Spiegel”. Pra, fitimi i një ndeshjeje futbolli ndihmoi në krijimin e Gjermanisë që njohim sot në ekonomi e politikë. Dhe e thotë “Der Spiegel”, që nuk është gazetë sportive… Në vitin 1974, Gerald Ford, president i SHBA-së në atë kohë, pasi financoi një studim të plotë të sportit amerikan, mblodhi përfaqësuesit e bi znesit amerikan dhe u tha shprehimisht: “Nëse doni të mundni Evropën në ekonomi, më përpara duhet ta mundim në sport. Nuk ka asgjë më efektive në fushën politike sesa një fitore sportive. Një fitore sportive është shumë më e rëndësishme sesa një fitore ushtarake në luftë”.

Ky fjalim gjendet në librin “Fuqia dhe ideologjia e sportit amerikan”, me autor Geroge H.Sage, botuar në vitin 1990. Në vitin 1982 Italia po hynte në një krizë të rëndë ekonomike, sipas vlerësimeve serioze të ekonomistëve. Po këta ekonomistë përcaktuan që fitorja e Kupës së Botës në 1982 jo vetëm nuk e lejoi Italinë që të hynte në krizë, por i dha një nxitje të jashtëzakonshme ekonomisë italiane. Fitorja e Shqipërisë me Greqinë në Tiranë, menjëherë pasi kjo e fundit fitoi Kampionatin Europian ishte një eveniment me pasoja pozitive të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, por veçanërisht për ata që jetonin e punonin në Greqi. Që të nesërmen shiheshin me tjetër sy dhe me më shumë respekt nga të gjithë grekët që te çdo shqiptar shikonin instinktivisht dikë që i kishte mundur e që ishte njësoj e ndoshta më i zoti se ta…

Këta shembuj dhe plot të tjerë tregojnë se sporti nuk mund të vlerësohet vetëm si një aktivitet zbavitës periferik për njerëzit dhe ku politika nuk ka vend. Përkundrazi, sporti do të jetë gjithmonë e më shumë në vëmendjen dhe ndikimin e politikës. Sporti është fuqia e pestë ekonomike botërore, sepse përbën 4% të GDP së BE-së dhe punëson 15 milionë njerëz vetëm në vendet e BE-së.

Ta përjashtosh nga vëmendja e politikës në këto kushte nuk është realiste. Është një shprehje që e përmbledh vendin e sportit në shoqëri: Ai është gjëja më e rëndësishme, mes gjërave të parëndësishme… Ose e quajmë të tillë, të rëndësishëm menjëherë pas shëndetësisë, ekonomisë, arsimit e rendit publik dhe si të tillë e mbështesim dhe zhvillojmë sportin, ose e lëmë në gjendjen ku është në Shqipëri. Gjendje që vetëm zbavitëse nuk është…

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Opinion nga Mustafa Nano/ Pse jam kundër gjesteve politike të sportistëve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"