25 prilli dhe sporti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2021 | 16:27

25 prilli dhe sporti

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Tani që 25 prilli i zgjedhjeve është mjaftueshëm larg, ia vlen të kërkosh një lidhje të tij me sportin, të analizosh praninë e sportit në periudhën parazgjedhore si subjekt programor i atyre forcave politike që garonin për menaxhimin e Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme.

Për fat të keq, e vetmja “prezencë sportive” në pragzgjedhjet e 25 prillit ishte retorika e përdorimit të termave të krahasimit të garës politike si një garë sportive, të stafeve dhe kandidatëve si ekipe sportive, etj. Shumë pak, dëshpërimisht shumë pak…

Sporti nuk është subjekt fushate elektorale në Shqipëri, nuk ishte as këtë radhë, sepse nuk është aktivitet që vlerësohet seriozisht. Ka shumë legjislatura që sporti nuk llogaritet si subjekt dhënie llogari për katër vitet që mbyllen dhe pastaj, për shtrimin realist dhe serioz të alternativave qeverisëse për mandatin e radhës. Askush nuk del të thotë se çfarë mbajti nga premtimet e bëra katër vite më parë.

Dhe, për fat të keq, askush nga sporti nuk gjykon me votën e tij këtë bilanc të plotësuar apo të munguar. Në sport punojnë 20 mijë qytetarë me të drejtë vote. Po të llogarisim edhe familjet e tyre, pastaj sportistët dhe prindërit e tyre, bëhen një komunitet që ka një peshë të rëndësishme votuese. Por, që kjo peshë të marrë vlerën e duhur, do të duhej që, të paktën, ky komunitet të shkonte në votim me mendjen të bilanci i sportit në mandatin e mbyllur dhe njëkohësisht, te besueshmëria e premtimeve të radhës.

Nuk besoj se ka ndodhur në 25 prill dhe nuk e di nëse do të ndodhë në të ardhmen. Dhe, për aq sa kjo nuk do të ndodhë, ne nuk duhet të presim vlerësim serioz nga politika për sportin. Një politikë që e vlerëson sportin vetëm duke përdorur termat sportivë për të “ngjyrosur sportivisht” klimën politike elektorale, nuk jep premisa për seriozitet ne trajtimin e sportit. Mund t’ia vëmë fajin vetëm politikës.

Gjithmonë këtë kemi bërë ne njerëzit e sportit, duke harruar me ose pa dashje që, në fund të fundit, jemi ne shkaku dhe arsyeja që na trajtojnë kështu. Sepse, të paktën nuk kërkojmë llogari për atë që (nuk) është bërë dhe pranojmë këdo që i bie rruga nga karriget politike të sportit. Nëse politika ka fajin që na i sjell, ne kemi fajin që i pranojmë dhe i durojmë. Në këtë rast, shprehja “i duruari i fituari” nuk vlen… Sepse, nëse duron paaftësinë, ke “fituar” vetëm dështimin!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"