Onana flet si “djall”: Junajtid i parezistueshëm, jam këtu për trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2023 | 16:47

Onana flet si “djall”: Junajtid i parezistueshëm, jam këtu për trofe

Andre Onana kaloi vizitat mjekësore me Mançester Junajtidin pasi mbërriti në Birmingam mbrëmjen e së martës dhe tha fjalët e para si portieri i ri i “djajve”.

ghjh

Portieri, i cili bëhet transferimi i dytë i trajnerit Erik ten Hag në merkaton e kësaj vere, pritet vetëm që të zyrtarizohet përpara se të firmosë kontratën 5-vjeçare me opsionin për të rinovuar edhe një tjetër sezon në “Old Trafford”. Ai do t’i bashkohet skuadrës në turin e saj në SHBA. 55 milionë euro është shifra që do t’i paguhet Interit, ndërsa 4 milionë euro të tjera janë bonuset. 27-vjeçari fluturoi të martën drejt aeroportit të Birmingamit dhe u qetësua për një natë përpara se të shkonte në kompleksin stërvitor të klubit të ri “Carrington” mëngjesin e së mërkurës për të përfunduar testet mjekësore.

E ndërsa ai u përcoll nga disa tifozë të Interit në aeroportin e Milanos, ku mbërriti me një furgon të zi “Mercedes”, ai bëri fotot e fundit si një lojtar zikaltër përpara se të ngjitej në bordin e avionit. Ardhja e tij në Mançester vjen pasi Erik ten Hag donte një portier të ri titullar për të zëvendësuar David de Gean. Trajneri kërkonte një portier që t’i jepte më shumë siguri me topin në këmbë. Kamerunasi është një specialist në këtë drejtim, pasi ka krijuar reputacionin e një portieri, të cilit i pëlqen të dalë nga zona e tij për të ndërtuar lojën. Ai bëhet nënshkrimi i dytë i ri i “djajve” gjatë verës pasi Mejzon Maunt u transferua nga Çelsi në një marrëveshje me vlerë deri në 60 milionë paund (70 milionë euro). Ai tha edhe fjalët e para për “Gazzetta dello Sport” pas këtij transferimi.

“Gjëja më e rëndësishme është të jesh i sinqertë dhe t’u thuash njerëzve gjithnjë të vërtetën”, tha ish-portieri i Ajaksit.

“Unë jam një njeri që gjithnjë dëshiron sfida të reja. Të luash në Premier Ligë dhe në një klub si Junajtidi është e parezistueshme. Të gjitha palët donin që kjo të ndodhte. Por ajo që ka rëndësi është se edhe nëse unë do të kisha qëndruar, do të kisha qenë njëlloj i lumtur, sepse nuk kam pasur kurrë probleme tek Interi. Përkundrazi, një magji lindi në Milano dhe është pothuajse e vështirë për ta shpjeguar”.

I pyetur nëse ai ëndërron të ndjekë gjurmët e ikonave të portës së Junajtidit si Peter Shmajkëll, Edvin van der Sar apo David de Gea, Onana shtoi: “Fakti që jam zgjedhur për të vazhduar këtë traditë më bën krenar dhe të përulur. Unë dua që të fitoj trofe me shokët e rinj të skuadrës”.

27-vjeçari, i cili është një prodhim i akademisë së Barcelonës, përpara se të bashkohej me Ajaksin, mbërriti në “San Siro” me parametër zero verën e shkuar, pasi i përfundoi pezullimi prej 9 muajsh për doping. Sipas Ajaksit, ai rezultoi pozitiv për substancën e ndaluar, furosemid. Sezonin e kaluar, Onana luajti 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet për gjigantët italianë dhe e ruajti portën e paprekur në 19 ndeshje.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"