“Nuk po i kuptoj më arbitrat”, Nica para sfidës me Dinamon: Merak vetëm fushën, luajmë për tri pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 8:30

“Nuk po i kuptoj më arbitrat”, Nica para sfidës me Dinamon: Merak vetëm fushën, luajmë për tri pikë

Trajneri Stavri Nica e ka pohuar më herët syn imin që Kukësi gradualisht të bëhet skuadër fushe dhe të tregojë grintën që e karakterizon. Këtë gjë do të tentojnë edhe ndaj Dinamos sot në orën 13:30, teksa do të kërkohet patjetër marrja e tri pikëve. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Nica e sheh një sfidë të vështirë, si të gjitha të tjerat në këtë kampionat. Ai i druhet paksa vetëm terrenit të rënduar që mund të jetë për shkak të shirave.

Stavri Nica

“Si çdo ndeshje, ka vështirësitë e saj. Situata ndoshta do të jetë pak e rënduar nga shiu dhe fusha mund të mos jenë në formën e saj optimale, por ne do të bëjmë tonën. Pritet luftë sportive normalisht. Do të luajmë për të fituar dhe do të bëjmë maksimumin tonë. Më pas të shohin se çfarë do të prodhojë ndeshja, por shpresojmë maksimalisht ta shfrytëzojmë faktorin fushë, edhe pse mungesat po na shtohen, sepse ngarkesa bën të vetën”, u shpreh fillimisht trajneri i verilindorëve.

PROGRESI

Ajo që e kënaq më shumë Nicën është progresi që kanë bërë djemtë në lojë, si edhe ambienti i ngrohtë që gjendet në Kukës, ku të lënë të punosh i qetë dhe të shkosh në punë me dëshirë.

“Skuadra gjithnjë më kënaq, sepse djemtë janë të dëgjueshëm dhe duan të rriten në futboll. Kjo më ngroh. Edhe stafi, drejtuesit dhe të gjithë ata që punojnë në këtë klub, janë shumë të angazhuar. Ambienti është shumë i mirë dhe kjo bën që të shkosh me qejf në punë dhe t’u shërbesh të gjithëve”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën, trajneri i Kukësit.

ARBITRAT

Nuk mund të rrinte pa e dhënë një mendim edhe Nica për arbitrat, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Rrogozhinë. Trajneri i sheh disa vendime si prishje të imazhit të futbollit në vend, duke krijuar përshtypje të keqe te të gjithë.

“Të them të drejtën, nuk po i marr vesh më këta gjyqtarë, që të jenë deri në këtë derexhe. Thjesht po ulin vlerën e futbollit, nuk po bëjnë gjë tjetër. Krijohet një përshtypje e keqe, sikur është faji i federatës. Unë e gjykoj ndryshe, sepse këta që marrin përsipër të bëjnë gabime kaq të rënda nuk duhet të dëmtojnë imazhin e futbollit. Kjo më shqetëson mua. Nuk ka të drejtë asnjë të dënojë futbollin, sepse na ulin shumë pikë edhe neve si skuadra që marrim pjesë”, përfundoi kreu i pankinës së Kukësit, i cili ka marrë drejtimin e skuadrës në javën e tretë të kampionatit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"