“Nuk e merituam humbjen me Vllazninë”, kapiteni Liço: Kemi respekt maksimal, por fitojmë kundër Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 15:52

“Nuk e merituam humbjen me Vllazninë”, kapiteni Liço: Kemi respekt maksimal, por fitojmë kundër Egnatias

Humbja me Vllazninë është konsideruar si një ndjesi që u përcoll vetëm nga rezultati në kampin bardhekuq, që për sa i përket lojës, ishte dominues dhe menaxhoi pëlqyeshëm lojën përballë një kundërshtari të vështirë.

lico

Në kushte të tilla, një takim i tillë i humbur në atë mënyrë, lë njëfarë hidhërimi në skuadër. Hidhërim, që të gjithë janë duke u munduar ta kthejnë në forcë në prag të ndeshjes me Egnatian. Për kapitenin bardhekuq, Dean Liço, skuadra ka funksionuar mjaft mirë në ndeshjen e fundit, ku sipas tij, nuk duhej të përfundonte me atë rezultat. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Liço ka analizuar ndeshjen e humbur, duke treguar qartë se Skënderbeu përtej pikëve, ka treguar një lojë, që është garanci për fazën e fundit të sezonit.

“Vijmë nga një humbje e pamerituar ndaj Vllaznisë për mënyrën se si shkoi loja dhe se çfarë treguan dy ekipet në fushën e lojës. Nëse e shohim ndeshjen në tërësi, Skënderbeu ishte dominues ndaj Vllaznisë si në qarkullim topi, edhe në rastet e krijuara. Në tërësi kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe meritonim të merrnim më shumë nga ky takim. Nuk dua të ndalem te vendimet e arbitrave apo ndërhyrjen e VAR-it, por te loja në përgjithësi. Luanim ndaj ekipit që ka bërë një fazë të tretë shumë të mirë. Megjithatë, diferencat në fushë nuk u ndjenë, përkundrazi, ishim ne dominues. Pas një ndeshjeje të tillë është një shije e keqe që mbetet te grupi. Gjë, të cilën që nga dita e parë e përgatitjeve jemi munduar ta lemë pas krahëve dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, theksoi Dean Liço.

SFIDA KUNDËR EGNATIAS I ndalur te sfida kundër Egnatias në kampionat, kapiteni i Skënderbeut është i sigurt se nëse korçarët mbajnë këtë ritëm në gjithë fazën e katërt, do të kenë mundësi që të ecin lart në finalen e sezonit. Megjithatë, e gjithë vëmendja është te ndeshja e shtëpisë ndaj kryesuesve të kampionatit, që duhet menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Loja që ne kemi zhvilluar në ndeshjet e fundit na jep garanci dhe siguri për nisjen e fazës së katërt. Do të jetë faza më e rëndësishme e sezonit dhe duam që ta nisim në mënyrën më të mirë të mundshme. Luajmë në shtëpi përballë Egnatias, që meriton respektin maksimal, pasi është kryesuesja e kampionatit. Kemi filluar të përgatisim këtë ndeshje dhe do të kërkojmë si në çdo takim të marrim maksimumin e mundshëm. Është një fazë e plotë, që do të vendosë shumëçka sa i përket verdikteve të sezonit. Ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës dhe bilancin do ta bëjmë në fund. Gjithsesi, ky ekip ka garancinë e lojës, që është një pikë e fortë për të gjithë ne”, theksoi kapiteni i Skënderbeut.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"