NOTAT/ Spikasin Kumbulla e Mihaj, ja vlerësimet e “Panorama Sport” për lojtarët kuqezi në sfidën me Poloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 13:13

NOTAT/ Spikasin Kumbulla e Mihaj, ja vlerësimet e “Panorama Sport” për lojtarët kuqezi në sfidën me Poloninë

Kombëtarja shqiptare pësoi një humbje minimale përballë Polonisë në transfertë, e vlefshme për kualifikueset e “EURO 2024”. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj notat e lojtarëve të cilët u aktivizuan ditën e djeshme nga Silvinjo.

shqiperia

STRAKOSHA 5 – Polakët nuk e detyruan të bëjë akrobaci dhe te goli i pësuar mund të reagonte më mirë. I pasigurt edhe te depërtimi me top i Levandovskit, por e shpëton Mihaj, që bën rolin e portierit.

BALLIU 5 – Me hatër. Një ndeshje jashtë “standardit” të tij. Mbron me kujdes, përpiqet t’i bëjë gjërat thjesht, por asgjë për t’u shënuar në fazën sulmuese. Përkundrazi, gabime të shumta dhe humbje topi me lehtësi.

KUMBULLA 6 – Një ndeshje e mirë për mbrojtësin e Romës. Levandovski i shpëton vetëm një herë, ndërsa më pas i përdor të gjitha mënyrat për të ndalur rivalët në krahun e tij. I fortë dhe agresiv.

MIHAJ 6 – Një surprizë e bukur në mbrëmjen e djeshme. Lëviz me zgjuarsi dhe elegancë, i sigurt në pastrimin e zonës dhe i vëmendshëm në çdo detaj. Fantastik te rasti që i mohoi Levandovskit për gol.

HYSAJ 6 – Goxha më ndryshe se herët e tjera në krahun e majtë. E nis me shumë personalitet dhe i jep siguri krahut të tij, por kur fillon lodhja, edhe ai e humb kthjelltësinë. Shtyn pak, por mbron mirë.

GJASULA 5 – Vë zemrën në fushë, por nuk mjafton. Vuan në përplasjet me polakët dhe e bën shumë rrallë “specialitetin” e tij: rrëmbe topin nis aksionin. Pak më i ngadaltë se zakonisht dhe mban në lojë … te rasti i golit (Laçi pas minutës 88’ – Një faull taktik dhe karton i verdhë pas 60 sekondash në fushë).

RAMADANI 5,5 – Një pjesë e parë me shumë grintë dhe dëshirë. Lufton mirë në çdo cep, por shpesh i ka larg Asanin dhe Uzunin që t’u shërbejë. Duhet të kthehet Cikalleshi që të gjejë një pikë pasimi. Në të dytën ndien shumë lodhjen.

ASLLANI 5.5 – Një pjesë e parë ku mendon vetëm për mbrojtjen dhe bie pak në sy. Në të dytën nis të bëjë lojtarin e Interit, duke rrëmbyer topa, shërben për shokët dhe tenton rrezikshëm nga distanca. Por e bën me fragmente. Jo edhe aq në formë (Bajrami pas minutës 75’ – I dha një impuls më shumë sulmit dhe krijoi aksionin më të rrezikshëm, duke bërë një inkursion fantastik, që nuk u finalizua nga Uzuni).

ASANI 5,5 – Një pjesë e parë ekzaltuese. Me topin në këmbë i bën polakët të vuajnë, ofron krosime interesante, depërton dhe bëhet i palexueshëm për rivalët. Në të dytën bie disi, edhe pse fiton faulle që mund të ktheheshin në rrezik (Mehmeti pas minutës 70-të – Ka shumë cilësi me topin në këmbë, por në disa momente mund të tregohej më altruist).

UZUNI 5,5 – Flirton me golin te pasimi i Seferit, por nuk ka shënjestrën e duhur. Tentoi edhe më parë, por Shezni ia mohoi golin. Një rrezik konstant, por në të majtë nuk duket edhe aq efektiv…

CIKALLESHI 5,5 – Në pjesën e parë bën repart i vetëm. Sakrifikon jashtëzakonisht shumë duke u kthyer deri afër zonës së Strakoshës, por shpenzon energji me tepri. Si zakonisht shërbehet pak dhe keq. Në të dytën edhe ai ndien lodhjen. (Seferi pas minutës 75’ – Bëri atë që duhej në dy raste me daljet nga krahët, duke shërbyer saktë për Uzunin).

TRAJNERI SILVINJO 5,5 – Shqipëria ka ndryshuar me të dhe prodhon një futboll të kënaqshëm, por shfaq sërish dy problemet madhore: pësojmë gola lehtë dhe nuk shënojmë… Këto halle i kemi pasur edhe kur nuk ishte ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"