Notat e skuadrave/ Zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët të javës së 27-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 11:32

Notat e skuadrave/ Zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët të javës së 27-të të Superiores

“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 27-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe dobët të kësaj jave.

superiore-1

NOTAT E SKUADRAVE

PARTIZANI 8 – Moment i mirë në kampionat për Partizanin, që regjistron fitoren e dytë radhazi me një rezultat bindës. Pas 3-0 ndaj Kukësit, skuadra e trajnerit Orges Shehi mposhti edhe Erzenin 0-4. Kampionët në fuqi nuk e vunë në diskutim për një moment trepikëshin dhe duket se po rikthehen në formën e tyre më të mirë.

VLLAZNIA 7.5 – Të fitosh edhe kur nuk luan mirë do të thotë se skuadra ka personalitet dhe Vllaznia e shfaqi këtë gjë në Korçë, ku mundi 0-1 Skënderbeun. Shkodranët u rrezikuan në të paktën në tre raste nga kundërshtari, por nuk pësuan gol dhe më pas shfrytëzuan penalltinë që arritën të fitonin. Pikët kanë rëndësi më shumë se loja në momente të caktuara.

KUKËSI 7 – Kur dukej se gjithçka kishte mbaruar, Kukësi gjen forca dhe arrin të fitojë një ndeshje delikate, që e fut në “vallen” e mbijetesës në Superiore. Ishte vetëm një “finale’ e fituar, janë edhe 9 të tjera, por Kukësi meriton vlerësim për karakterin që po tregon në fushë.

TIRANA 6.5 – Më një ndeshje të menduar të humbur, Tirana ia del të rrëmbejë një pikë, që në fund mund të ketë vlera të mëdha. Fakti që skuadra nuk dorëzohet tregon se Tiranës i ka mbetur diçka nga karakteri i saj.

EGNATIA 6.5 – Një ndeshje deri diku e mirë ajo me Tiranën nga ana e kryesuesve të renditjes, por është e pafalshme që të shpërdorohet fitorja në atë mënyrë. Egnatia i kishte të gjitha mundësitë të rikthehej te fitorja, por ia privoi vetes këtë kënaqësi me atë pakujdesi në mbrojtje.

SKËNDERBEU 6 – Me lojën që zhvilloi, Skënderbeu meritonte të paktën një pikë në atë 90-minutësh. Korçarët arritën të dominonin edhe ndaj skuadrës së momentit, duke e vënë vështirësi serioze Vllazninë. Nëse do të kishin finalizuar rastet që krijuan, situata do të ishte shumë më ndryshe.

LAÇI 4 – Një tjetër ndeshje për t’u harruar e kurbinasve në harkun kohor të pak ditëve. Nëse ajo në Kupën e Shqipërisë justifikohet, sepse përballë ishte Egnatia, kjo me Kukësin është e pafalshme. Një disfatë ndaj një kundërshtari që kishte vetëm humbje mund të rëndojë gjendjen psikologjike të skuadrës.

ERZENI 4 – Ka pak për të thënë, kur pëson 4 gola. Erzeni duket se ka humbur besimin në vetvete dhe po rrëshqet gjithmonë e më poshtë. Edhe pse ndeshej me Partizanin kampion në fuqi, skuadra shijakase mund të kishte bërë diçka më shumë.

hgfjPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"