Lushnja në “skanerin” e një ish-i, Baze: Moment kritik, koha për reflektim dhe të shpëtojnë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 14:07

Lushnja në “skanerin” e një ish-i, Baze: Moment kritik, koha për reflektim dhe të shpëtojnë sezonin

Kur kanë mbetur edhe 180 minuta nga përfundimi i kampionatit, situata te Lushnja është më se e qartë. Skuadra verdhejeshile duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit për të shmangur ndeshjen shtesë në fund të sezonit.

ruco magani lushnja

Nëse lushnjarët ia dalin të marrin gjashtë pikët e plota, Lushnja matematikisht është jashtë “play-out”-it. Këtë të shtunë, ekipi i trajnerit Magani do të presin Kastriotin, në një përballje direkt me krutanët, që kanë dy pikë më shumë se Lushnja. Për ta përfunduar kampionatin në transfertë me Tomorin në Berat. Në një opinion për gazetën “Panorama Sport” ish-mesfushori Okeljan Baze, tha se fitoret janë detyrim. “Mendoj se zgjidhja e vetme në këtë moment është t’i japim mbështetje lojtarëve dhe stafit pa kushte. Deri sa të dalim nga kjo gjendje, normalisht të gjithë lojtarët duhet ta ndiejnë njësoj, peshën e fanellës së Lushnjës. E kanë detyrim fitoren, në këto dy ndeshje jetike për të gjithë qytetin”, deklaroi ish-mesfushori i lushnjarëve Okeljan Baze.

Ky i fundit, që i përket brezit të fundit që ngjiti Lushnjën në Superiore pranverën e vitit 2017, tha se duhet një diskutim i gjerë, për faktin që Lushnja ka një kohë të gjatë në Kategorinë e Parë. “Të arrijmë objektivin minimal për këtë sezon, qëndrimin në Kategorinë e Parë. Më vonë diskutojmë pse Lushnja po lëngon shumë në këto vite të fundit. Pavarësisht terreneve të mira dhe mirëqenies ekonomike që ka klubi”, tha ish-mesfushori Baze. Duke u përqendruar te sfida në “Roza Haxhiu” me krutanët, Baze tha se Lushnja luan në shtëpi dhe është favorite. “Kastrioti është një ekip me përvojë në këtë kategori dhe ka bërë mirë vitet e fundit. Është një skuadër që ka zbritur nga Superiorja. Por Lushnjën e shoh favorite dhe kam besim tek ekipi ynë.

Kemi luajtur mirë me Kastriotin dhe i kemi marrë katër pikë në dy fazat e para. Besoj se ekipi ynë do të dijë të marrë pikët e plota në këtë takim. Lushnja është një skuadër që gjithmonë nxjerr lojëra të mira. Tani jemi në një moment kritik dhe na intereson më shumë fitorja. Luajmë në fushën tonë dhe me mbështetjen e publikut besoj se ekipi do të shprehet mirë për të siguruar pikët maksimale ”, tha Baze.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"