Një malazez tek Apolonia, mbrojtësi: Futbolli shqiptar ka shumë presion, kemi ekip cilësor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 19:56

Një malazez tek Apolonia, mbrojtësi: Futbolli shqiptar ka shumë presion, kemi ekip cilësor

Drago Bumbar është një nga prurjet e Apolonisë gjatë merkatos verore. Malazezi është një mbrojtës cilësor, vetëm 22 vjeç, 1.95 m i gjatë dhe do të krijojë treshen e qendrës në prapavijën fierake, bashkë me kapitenin Eljon Sota dhe ganezin Benjamin Agyare. Bumbar është aktivizuar më parë me Igalo në Malin e Zi dhe në kampionatin serb me Graficar dhe FK Sindjelik. Për eksperiencën e tij të parë në Shqipëri, qendërmbrojtësi ka folur dje në një intervistë për “Panorama Sport”.
Bumbar
Pse vendosët të luani në Kategorinë Superiore dhe pikërisht tek Apolonia?
Më është dhënë mundësia të vij në Shqipëri, pasi përfundova kontratën që pata në Serbi. Shqipëria për mua është sfidë e re, të cilën e pres me kënaqësi. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për futbollin në këtë vend dhe mendoj se është një sfidë që vlen. Apolonia është një skuadër me shumë lojtarë të rinj të talentuar, kështu që vendosa të bëhem pjesë e saj. Është një grup cilësor dhe ambicioz për të zhvilluar një kampionat të mirë dhe me rezultate dinjitoze.

E njihnit më parë Shqipërinë?
Unë jam nga Mali i Zi, kështu që Shqipëria nuk është një vend aq i huaj për mua. Kam ndjekur disa ndeshje në të shkuarën në Shqipëri, përpara se të bashkohesha me Apoloninë dhe kam mbetur i befasuar nga niveli i futbollit që kam parë.

Çfarë përshtypje keni për shqiptarët dhe qytetin e Fierit?
Shqipëria është një vend unik dhe me aq sa kam parë, njerëzit këtu janë shumë të apasionuar pas futbollit. Qyteti i Fierit është i bukur, mua më pëlqen dhe po e shijoj qëndrimin tim në këtë vend.

Me aq sa keni parë nga ndeshjet miqësore, si ju duket futbolli shqiptar krahasuar me atë malazez apo serb ku ju jeni aktivizuar?
Futbolli shqiptar është shumë i ndryshëm nga të tjerët, sepse këtu ka presion gjatë gjithë kohës, lojtarët janë shumë agresivë, kështu që nuk ke shumë kohë për të menduar. Është një futboll dinamik dhe i fortë, me luftë sportive dhe mua më pëlqen kjo.
apolonia
Çfarë vlerësimi keni për skuadrën e Apolonisë?
Është një ekip që po luan më mirë me kalimin e kohës, që ka dëshirë dhe besoj se do të jemi një ekip i fortë edhe në kampionat. Unë kam besim sepse e shoh dhe e ndiej edhe te mobilizimi i shokëve të skuadrës. Është ekip shumë i ri, kështu që ne kemi energji dhe të gjithë lojtarët janë shumë entuziastë.

Me cilin nga lojtarët keni më tepër miqësi?
Që nga dita e parë unë kam qenë i mirëpritur shumë mirë nga lojtarët dhe të gjitha të tjerët në klub. Ne u njohëm dhe duhet të them se nuk kam pasur ndonjë problem deri më tani. Kemi marrëdhënie korrekte, jemi grup kompakt.

Ndjeni rivalitet në skuadër në pozicionin tuaj?
Aspak. Ne luajmë të gjithë për një qëllim: për skuadrën dhe nuk shohim për konkurrencë a rivalitet me njëri-tjetrin. Një grup i mirë dhe me cilësi na motivon të gjithëve që të stërvitemi e të luajmë më mirë çdo ditë. Kjo është ajo që na mban për të ecur përpara.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"