Një italian për Kamzën, por ekipi në ngërç për financat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 16:32

Një italian për Kamzën, por ekipi në ngërç për financat

Kamza nuk po gjen dot akordin me Klaudio Bonanin. Mbrojtësi italian ka fituar prej kohësh pëlqimin e Bledar Devollit, megjithatë negociatat për kontratën nuk shkojnë siç duhet. Nuk ka dakordësi sa u përket termat financiarë dhe ky fakt ndoshta mund të bëjë që lojtari i dalë nga Akademia e Milanit, të largohet. Megjithatë, drejtuesit po mundohen që të bëjnë gjithçka munden për ta joshur.

kamza-02-470x353

Sakaq, ekipi po vijon përgatitjet për sezonin e ri. Në javën e dytë janë “fiksuar” lojtarët që do të mbahen nga sezoni i kaluar, por njëherësh u përzgjodhën edhe 5 lojtarët që u rezistuan provave. Gjithashtu u largua zyrtarisht Fabio Gjonikaj, i cili ka marrë lejen e kalimit dhe u transferua te Vushtria në Kosovë, ndërsa Ersil Ymeri kaloi te Kastriotit. Megjithatë, që grupi të plotësohet, pritet edhe Bruno Arrabal.

Ai vazhdon pushimet në Brazil, por ka dhënë fjalën që të hënën do të jetë në Shqipëri. Stafi teknik është plotësuar me një përgatitës atletik, pasi është afruar italiani Marko Matuli. Ai që dje ka filluar të merret me lojtarët e konfirmuar zyrtarisht për sezonin e ri futbollistik, pra me Frashërin, Idrizajn, Malajn, Çukoviçin, Mehmetin, Mumajesin dhe italianin Bonani. Ndërsa trajneri Bledar Devolli nga ana tjetër u mor me 27 të tjerët, të cilët zhvilluan edhe një ndeshje testuese.

FINANCAT – Kamza është në ditë jo të mira përsa u përket disa vendimeve të rëndësishme ku mungon guximi dhe vendosmëria, e vështirësuar kjo edhe prej financave. Siç dihet, janë dy bashkëpronarë, Bashkia dhe “Qarri 02”. Nëse do të ketë një akord të ri bashkëpunimi midis dy palëve edhe për këtë sezon, ka të ngjarë që ekipi të pretendojë edhe Europën, në të kundërt do luftojë vetëm për mbijetesë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"