Një “finale” e parakohshme në Kategorinë e Parë, Egnatia premton dhurata në rast fitoreje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2017 | 11:34

Një “finale” e parakohshme në Kategorinë e Parë, Egnatia premton dhurata në rast fitoreje

Rrogozhinasit u dhanë fund përgatitjeve pasditen e djeshme dhe janë gati për t’u ndeshur me Kastriotin. Nën drejtimin e trajnerëve, lojtarët morën ngarkesat e duhura fizike e teorike pa harruar skemat dhe goditjet në kuadrat apo penalltitë. Kryendeshja e javës së 11-të, që do të luhet sot në orën 13:00 në stadiumin “Hasan Zyla”, ka marrë vëmendje në çdo drejtim nga stafi dhe skuadra. Ky takim pritet me mjaft interes edhe nga sportdashësit rrogozhinas që kanë premtuar se do ta kthejnë në festë.

Egnatia

Vogli – Në një prononcim për gazetën, qendërmbrojtësi Jurgen Vogli shprehet: “Fitorja e arritur në transfertë me Vllazninë B tregoi se Egnatia është në rrugën e duhur sa i përket objektivave. Një takim që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e optimizmit në grup. Gjatë javës kemi punuar me intensitet të lartë për përgatitjen sa më të mirë të sfidës me Kastriotin që është me meritë në krye të klasifikimit dhe ka një skuadër për t’u admiruar.

Por, ne po kalojmë një formë të mirë dhe duke qenë se luajmë në shtëpi e kemi detyrim sigurimin e tri pikëve. Kjo do të jetë “dhuratë” për tifozët tanë si dhe për të thyer “tabunë” e rezultateve në fushën tonë, ndryshe nga më parë. Kam besim të plotë se do t’ia dalim ta kalojmë me sukses përballjen”, tha lideri i mbrojtjes rrogozhinase.

Egnatia-Kastrioti

Përveç të tjerash, sfida do të ketë edhe “ish” brenda saj, siç janë mesfushori Dosti që ka luajtur te krutanët, ndërsa mbrojtësi Emiliano Çela që tani është pjesë e Kastriotit, për disa vite ka dhënë kontributin tek Egnatia. Ndërkohë, ky duel do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga Rrogozhina në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar.

Pritet që të ketë një pjesëmarrje të madhe tifozësh, të cilët do të mbështesin ekipin në këtë ndeshje të rëndësishme. Kujtojmë se Egnatia është rikthyer në Kategorinë e Parë pas dhjetë vitesh që militonte në të Dytën.

Aldo Buzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"