Një fazë pa fitore, Teutës i mungojnë 5 pikë. Nis stërvitja pa 3 të larguarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 21:20

Një fazë pa fitore, Teutës i mungojnë 5 pikë. Nis stërvitja pa 3 të larguarit

Teuta e pjesës së parë të sezonit 2023- 2024 ka qenë shumë larg pritshmërive të drejtuesve të klubit durrsak. Projekti i nisur me trajnerin italian, Diego Longo, dështoi shumë shpejt dhe palët u ndanë me mirëkuptim, ndërsa më pas klubi i besoi një njohjeje të vjetër, pikërisht Edi Martinit.

teuta

Ky i fundit është trajneri më i suksesshëm i historisë së futbollit durrsak, pasi ka fituar gjithçka në krye të Teutës, por tashmë ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë, teksa i duhet të ringrejë skuadrën. Në 18 javë kampionat “djemtë e detit” e shohin veten në vendin e fundit me vetëm 16 pikë. Distanca me skuadrën që nuk zbret direkt nga kategoria është 5 pikë, në një kohë që mbeten për t’u zhvilluar edhe dy faza kampionat.

Në Durrës nuk e shkojnë aspak nëpër mend që do të luftojnë për mbijetesë, po shifrat janë kundër Teutës dhe nëse bëjmë një krahasim me kampionatin e vitit të kaluar, mungojnë 5 pikë. Teuta kishte 21 pikë dhe pozicionohej në vendin e shtatë në pjesën e parë të kampionatit të kaluar, ndërsa tani është e fundit me 16 pikë.

Mirëpo, ajo që shihet si më shumë problematike në kampin durrsak, ka të bëjë me mungesën e fitores. U bë fiks një fazë e dytë pa asnjë triumf dhe me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje. Fitorja e fundit e Teutës është në javën e 9-të, kur mposhtën Dinamon 2-3 në stadiumin “Elbasan Arena”.

PËRGATITJET – Ekipi durrsak iu rikthye dje fushës së stërvitjes pas një periudhë 3 ditore ku futbollistët kanë qëndruar pushim. Trajneri Edi Martini kishte të gjithë grupin në dispozicion, përfshi edhe afrimin e parë të merkato, mbrojtësin Elmandio Gjini. Deri më tani janë larguar nga Teuta tre lojtarë: Mario Gjata, Aldi Gjumsi dhe Ardit Iljazi. Mirëpo, ka edhe të tjerë që janë në pikëpyetje nëse do të vijojnë pjesën e ngelur të sezonit me “djemtë e detit”.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"