“Ngec” Flamurtari, Lushnja i merr një pikë në Vlorë. Memushi i pakënaqur: Duhej ta zgjidhnim në të parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 16:05

“Ngec” Flamurtari, Lushnja i merr një pikë në Vlorë. Memushi i pakënaqur: Duhej ta zgjidhnim në të parën

Flamurtari “ngec” me Lushnjën. Kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi pa gola në takimin e luajtur në Vlorë. Një ndeshje, që ka prodhuar raste për të dyja skuadrat, por edhe një gol të anuluar për Flamurtarin.

flamurtar lushnja

Nga ana tjetër edhe Lushnja e Gugash Maganit rrezikoi jo pak, teksa vuri në vështirësi të madhe portierin Aldo Teqja. Vlonjatët vinin në këtë përballje me mungesa të rëndësishme, pa kapitenin Denis Pjeshka, Hasën, Beqjan dhe Bejin. As Oliveira nuk luajti për shkak të kartonëve.

PJESA E PARË – Flamurtari e nis në sulm, por Lushnja mbrohet mirë. Gustavo ka një mundësi të mirë shënimi me kokë, por i mungon shënjestra. Miqtë kërcënojnë me rastin e parë në minutën e 23-të. Olola ka një mundësi të pastër shënimi, ndërsa topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Shkodrani Vucaj kërcënon me një gjuajtje nga distanca por i mungon saktësia. Lushnja ka një tjetër rast, ku Magani rrezikon nga këndi, por mbrojtja bllokon rrezikun. Kasmollari dhe Ruço përpiqen që të ndërtojnë aksione të rrezikshme, por mbrojtja lushnjare është në një ditë të mirë. Përsëri Vucaj tenton me një gjuajtje brenda zonës, por pa rezultat. Pjesa e parë mbyllet pa gola.

PJESA E DYTË –  Ky fraksion loje karakterizohet nga një ekuilibër i plotë për sa i përket rasteve. Loja hyn në faza interesante, ku ngjarjet spostohen sa në njërën zonë, te tjetra. Lushnja kundërsulmon. Leshi, Batha dhe Shkurtaj tentojnë, por nuk gjejnë hapësira. Vend ka edhe për Paulo Pjeshkën, Podrimcakun dhe Vitijan, por nuk kanë shënjestrën e duhur. Leshi brenda zonës gjuan, por Haremi bën detyrën. Në minutën e 90-të Shkurtaj shënon, por Barjamaj e anulon për pozicion jashtë loje. Në minutat shtesë Flamurtari ka pak forca në sulm dhe humbet topin shpesh. Përpiqen të bëjnë diçka Paulo Pjeshka dhe Podrimcaku, por pa rezultat. Skuadrat në fund ndajne nga një pikë, që nuk i hyn aspak në punë Flamurtarit.

Trajneri i Flamurtarit

Memushi: I pakënaqur, duhej ta zgjidhnim në të parën

Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, nuk ka mbetur i kënaqur nga barazimi me Lushnjën. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat u shpreh se skuadra e tij e komandoi ndeshjen. “Është një barazim që nuk na kënaq. Përveç këtij fakti, duhet të falënderojmë gjithë grupin që kanë dhënë maksimumin. Pjesën e parë e kemi dominuar. Lushnja nuk na ka kërcënuar asnjëherë, përveç dy episodeve. Ne e kemi komanduar lojën. Mendoj se në 45 minutat e para duhet ta kishim zgjidhur lojën në mënyrë që skuadra në pjesën e dytë të luante me qetësi. Duhet t’i kishim dhënë mundësi ekipit kundërshtar të sulmonte, të hapej, që më pas ta godisnim me kundërsulm. Megjithatë, i uroj suksese edhe Lushnjës, sepse është një skuadër, që meriton të qëndrojë në këtë kategori dhe të mos ketë probleme. Falënderoj edhe tifozët dhe këtë rezultat duhet ta pranojmë siç është. Ky është futbolli”, u shpreh Memushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"