Nga sulmuesi që shënon gjithmonë në shtëpi te mbreti i driblimeve, ja dueli që vendos finalen mes Seviljës dhe Juves

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 10:25

Nga sulmuesi që shënon gjithmonë në shtëpi te mbreti i driblimeve, ja dueli që vendos finalen mes Seviljës dhe Juves

S tadiumi “Sançez-Piz juan” do të përcaktojë mbrëmjen e sotme, në orën 21:00, se cila do të jetë njëra prej finalisteve të Ligës së Europës. Sevilja do të presë në shtëpi Juventusin, pasi i frikësoi bindshëm në Torino, edhe pse Gati në të 97-ën limitoi dëmet dhe frenoi shifrat e gjysmëfinales së vajtjes në 1-1.

Collage Maker-18-May-2023-10-22-AM-7470

Por sot do të jetë një histori tjetër, pasi në këtë duel nuk ka kohë për t’u menduar, për t’u rezervuar, prandaj pritet që të luhet për jetë a vdekje. Dhe Sevilja e Juventusi do të dinë që t’i japin zjarr kësaj sfide, duke qenë se në rastin e spanjollëve ata janë rekordmenët e Ligës së Europës (4 trofe, plus 2 Kupa UEFA) dhe këtë gjë ia treguan qartë “zonjës së vjetër” në “Allianz Stadium”.

Ndërkohë Juvja duhet të tregojë se është më e uritur se kurrë… Ata do të kërkojnë të kthehen në një finale europiane pas 7 vitesh mungesë (e fundit në 2017-ën në Champions, kur humbën me Realin), ndërkohë që një finale e Ligës së Europës apo ish-Kupës UEFA mungon që nga viti 1995 (sërish humbje ndaj Parmës, por dy vite më parë, 1993, kishin triumfuar ndaj Bilbaos).

HERONJTË E SFIDËS – Dy gjysmëfinalistet do të shpresojnë që të bëjnë ndeshjen e tyre ideale për të marrë biletën për në finale, por ndërkohë të dyja skuadrat do të mbështeten të dy liderët e tyre.

Sevilja i ka shpresat më të mëdha te En-Nesiri. Sulmuesi maroken, jo vetëm që i shkundi themelet Juves në Torino, duke zhbllokuar sfidën, por ai bëhet edhe më i frikshëm në ndeshjet në shtëpi (9 nga 13 golat sezonalë i ka realizuar në “Sançez-Pizjuan”), duke qenë se nga janari e deri më sot, ai ka shënuar në çdo sfidë europiane dhe kërkon të ruajë këtë traditë edhe sot përballë Juves.

En Nesiri numëron 4 gola në Ligën e Europës, ose e thënë ndryshe 1 gol çdo 106 minuta lojë. Gjithsesi, bardhezinjtë janë gati që të kundërpërgjigjen me një kampion bote si Angel Di Maria.

Argjentinasi ka qenë një çekiç mes Champions-it dhe Ligës së Europës për Juven, duke ofruar numra fantastikë: 4 gola, 3 asiste, protagonist në 7 gola, 21 raste të krijuara për gol dhe 23 driblime të sakta. Shkurt, Di Maria shpresohet që të jetë gati të tërheqë në finale Juven, siç bëri me Argjentinën në Botëror.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"