Nga pankinat te Donaruma dhe Ronaldo, ja sa vlen sfida Juventus-Milan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 16:06

Nga pankinat te Donaruma dhe Ronaldo, ja sa vlen sfida Juventus-Milan

Gjithçka ose asgjë. Të dielën në mbrëmje, në “Allianz Stadium”, Juventusi dhe Milani luajnë të gjithë sezonin e tyre. Objektivi i parë në “pjatë” dhe pa dyshim më i rëndësishmi për drejtuesit e të dyja klubeve është kualifikimi në Champions dhe thesi me të paktën 50 milionë euro që sjell ky turne.

MILAN JUVE 1

Prandaj, kualifikimi mes katër vendeve të para është gjëja më e rëndësishme për dy skuadrat që do të sfidohen në Torino. Kur specifikojmë paratë si gjëja më e rëndësishme kjo lidhet pa dyshim edhe me fatin e yjeve të Juventusit dhe Milanit që kërkojnë të ruajnë pagat e tyre stratosferike dhe në qendër të vëmendjes janë dy lojtarë mbi gjithë të tjerët: Xhanluixhi Donaruma dhe Kristiano Ronaldo. Por jo vetëm kaq, pasi pas të dielës në mbrëmje, ndoshta ata që mund të paguajnë janë edhe dy trajnerët, Andrea Pirlo dhe Stefano Pioli, fati i të cilëve në skuadrat respektive është i varur pikërisht nga rezultati i supersfidës.

PARATË E CHAMPIONS-IT

Por, le ta nisim me radhë… Juve-Milan nuk kishte një domethënie kaq të madhe në Serinë A që nga goli i famshëm i mosakorduar i Muntarit (sezoni 2011-2012, kur bardhezinjtë fitonin titullin e parë pas tranzicionit “Calciopoli”). Prandaj, kjo ndeshje duhet menaxhuar me tepër kujdes nga të dyja anët, pasi rezultati final prek në mënyrë jetike renditjen aktuale, e cila sheh të dyja ekipet me pikë të barabarta, në luftë të ashpër për kualifikimin në Champions-in e sezonit të kaluar. Ky është një objektiv jetik për Juven e Milanin, ku pa paratë e kompeticionit UEFA themelet e dy klubeve do të tronditeshin jo pak.

Për “Zonjën e Vjetër” moskualifikimi në Ligën e Kampioneve do të thotë faliment sezonal, por në të njëjtën kohë një revolucion total dhe shumë të dhimbshëm. Deri tani gropa milionere me të cilën përballën juventinët i afrohet 200 milionë eurove dhe pa paratë e Champions-it, i pari që do t’i duhej të largohej është Kristiano Ronaldo, kostot e të cilit do të bëheshin të papërballueshme. Por, në të njëjtën kohë, edhe pa portugezin sërish pagat e yjeve të tjerë do të bëheshin të pasuportueshme, ndaj nuk do të ishte çudi që të kishte edhe largime të tjera të dhimbshme, si për shembull të ndonjërit prej Dibalës, Moratës mbi gjithë të tjerët. Prandaj, mund të kuptohet qartë se sa të rëndësishme janë këto tri pikë.

MILAN JUVE

MILAN-DONARUMA – Duke mbetur te paratë e Champions-it, por duke kaluar në radhët e kuqezinjve, Milani i kërkon medoemos grupet për të provuar që të mbajë në skuadër një prej portierëve më të mirë në qarkullim, ndaj të cilit qëndron pikërisht hija e Juventusit. “Djalli” nuk kërkon ta lëshojë, por pa financat nga Europa do të ishte e pamundur. Prandaj, duke mundur “Zonjën e Vjetër” dhe duke fituar pozita shumë më komode brenda zonës Champions, Donaruma do të largonte çdo joshje që vinte nga Torino dhe mbi të gjitha Milani do t’i garantonte arenën që menaxheri Raiola kërkon për klientin e tij, plus atë sakrificë financiare për rritjen e pagës, nga 6 në të paktën 8 milionë euro neto në sezon. Fundja, të humbje një portieri me një kosto të lartë si Xhanluixhi Donaruma me parametër zero do të ishte një katastrofë për Milanin.

DONARUMA

KAPITULLI I STOLIT – Por, përveç 50 milionëve që lidhen ngushtë edhe me fatet e Ronaldos e Donarumës, Juventus-Milan do të jetë edhe ndeshje e cila mund të vendosë përfundimisht edhe fatet e dy trajnerëve. Nga njëra anë Andrea Pirlo rrezikon të shkarkohet edhe në rast se e blindon zonën Champions, duke parë se Masimiliano Alegri duket gjithmonë e më pranë një rikthimi të bujshëm. Gjithsesi, duke parë se ndaj “KontitMaks” interesi i Realit të Madridit sa vjen e bëhet më i madh, pa dyshim që një fije shprese për Pirlon për t’u konfirmuar sërish edhe për sezonin e ardhshëm ekzistojnë, por për të provuar fatin, “Maestros” i duhen mbi të gjitha 3 pikët ndaj Milanit. Nga ana tjetër qëndron Stefano Pioli…

milan juve 2

Trajneri që u duk se rimëkëmbi “Djallin”, papritur ka humbur shkëlqimin në 2-3 muajt e fundit duke vënë në rrezik atë zonë Champions, e cila nuk mendohej kurrsesi, duke qenë se kryesoi për më shumë se një fazë kampionatin. Ndërkohë, papritur Milani ka nisur të rrëshqasë për shumë motive, ndaj stoli i tij sigurisht që nuk do të ishte më i sigurt, nëse mungon kualifikimin mes katër vendeve të para. Mos harrojmë se për Piolin, Milani dogji edhe një akord dhe një plan revolucionues që kishte marrë me gjermanin Ralf Rangnik, prandaj nëse kërkon që t’u tregojë drejtuesve të klubit që të mos bëhen pishman për konfirmimin në fund të sezonit të kaluar, blindimi i pankinës së tij nis nga 3 pikët kundër Juventusit. Shkurt, të dielën në mbrëmje interesat në lojë janë më shumë sesa thjesht një vend i katërt për t’u mbajtur fort…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"