Nga firma te ngacmimi i tifozëve, Greca: Erdha për golat, e njoh mirë këtë ligë
Bedri Greca ka ardhur me mision në Elbasan. E di që një qytet i tërë pret ngjitjen në Superiore dhe që kjo të arrihet më lehtë duhen me patjetër gola. Për këtë pjesë do të mendojë sulmuesi, me të cilin verdheblutë kanë blinduar një herë e mirë ofensivën.

Eksperienca nuk i mungon dhe as përshtatja nuk do të jetë problem. Në ekip gjen shumë nga ish-shokët e Kastriotit, duke filluar nga Armando Rami, Spartak Ajazi, Abaz Karakaçi dhe ndoshta do t’u shtohet edhe Edon Hasani.
Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport” rrëfen se si shkoi drejt firmës me klubin e sapongjitur në Kategorinë e Parë. Kalon me sportivitet edhe ngacmimin e tifozëve të Elbasanit, sa i përket fotos së tij me Tiranën në rrjetet sociale. Ua plotësoi direkt dëshirën dhe e hoqi nga profili i tij…
Greca u vesh zyrtarisht verdheblu. Si e prisni aventurën në Elbasan?
Me entuziazëm dhe emocion të madh. Dihet që qyteti i Elbasanit është mikpritës, bujar dhe sportdashës. Pres me padurim të luaj në stadiumin plot me tifozë.
Ikët nga Kastrioti, por në Elbasani gjeni disa nga shokët e ish-ekipit…
Kjo është gjë e mirë në fakt.
Nuk do të jetë përshtatja problem për ju?
Kjo gjë të mundëson që të adaptohesh më lehtë me lojën në ekipin e ri. Shpresoj që të kalojmë një sezon të paharrueshëm bashkë.
Në Elbasan presin golat tuaj këtë sezon, ndiheni nën presion?
Jo, jo, përkundrazi. Nuk ka fare vend për presion dhe trysni. Unë mezi pres që të zbres në fushë dhe shënoj golin e parë për këtë skuadër, sepse kanë një tifozëri të jashtëzakonshme.
Tifozët verdheblu patën një kërkesë të veçantë për ju, që të hiqnit foton që kishit në profilin tuaj me fanellën e Tiranës. Si ju duk ky ngacmim?
Me të drejtë kërkuan diçka të tillë. Sikurse Tirana, edhe Elbasani ka një histori të madhe në futbollin shqiptar. Unë tani jam pjesë e tyre dhe ata duan që të jap shembullin më të mirë si brenda edhe jashtë fushe. Ndaj, me kënaqësi e ndërrova foton. Kjo më lë të kuptoj që jam në një ekip që tifozët e duan skuadrën e tyre në çdo aspekt.
Pritet që të jetë një sezon i ashpër, në një kohë që vetëm dy ekipe do të ngjiten direkt në elitë. Cilët sheh si rivalët e Elbasanit?
Janë disa skuadra në fakt, duke filluar nga Kastrioti, e për të kaluar me radhë te Flamurtari, Bylisi apo Apolonia me Vorën. Kjo kategori nuk duhet nënvlerësuar, sepse unë kam eksperienca këtu. Jam aktivizuar më herët me Tiranën dhe Tërbunin në këtë ligë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













