Nga dëmtimet e rënda tek goli kundër Dinamos, Nikqi: Jam kthyer më i fortë te Tirana, ju tregoj vuajtjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 9:47

Nga dëmtimet e rënda tek goli kundër Dinamos, Nikqi: Jam kthyer më i fortë te Tirana, ju tregoj vuajtjet

Dijar Nikqi ishte “përforcimi i vetëm” i Tiranës në këtë merkato janari dhe duket se lëvizja e bardhebluve ka rezultuar e goditur.

nikqi

Pas katër muajsh jo të mira në Durrës dhe me aktivizime të pakta, Nikqi me fanellën e Tiranës po tregon veten. Dy gola kundër Vllaznisë dhe Dinamos, vendimtar te barazimi në Kupë me Teutën që solli kualifikimin, Nikqi është plusi i madh bardhebluve. Dhe të thuash që djaloshi ka dy vite që “masakrohet” nga dëmtimet e rënda. Një makth që duket se ka kaluar dhe këtë e tregojnë paraqitjet në fushën e lojës. Në intervistën për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për sfidën me Dinamon, gjendjen e skuadrës dhe objektivat që ka ai dhe ekipi në të ardhmen.

Nikqi, pas një aventure jo të suksesshme te Teuta, jeni kthyer te Tirana dhe që prej sfidës me Vllazninë po shkëlqeni në fushë. Dy gola nuk janë jo pak…

Mund të them që tani mua më ka ardhur koha të tregoj veten time, pas shumë dëmtimeve që kam kaluar gjatë këtyre dy viteve. Në një periudhë kaq të shkurtër kam kaluar tri dëmtime shumë të rënda dhe që më kanë lënë jashtë për një kohë të gjatë. Puna që kam bërë po më shpërblehet. Po tregoj vlerat e mia, por edhe potencialin që kam. Këtë po e shfaq me fanellën e Tiranës dhe po mundohem t’i jap skuadrës maksimumin që kam. Dua t’i shërbej sa më shumë grupit me të cilën luaj në këtë moment.

Një fitore e rëndësishme për Tiranën, por që u nis nga një gol juaji në fillim të lojës. Jeni i kënaqur me paraqitjen tuaj?

Shumë. Me “blutë” ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për Tiranën. E dinim që Dinamo ishte një kundërshtar shumë i vështirë. Një fitore e vlefshme, pasi e dinim rëndësinë e kësaj sfide. Po e shohim sesi është në thelb kampionati. Të gjitha ekipet janë të ngjeshura dhe shumë pranë njëra-tjetrës në renditje. Mes skuadrave nuk ka diferenca të mëdha. Na duheshin me patjetër tri pikët, të cilat në fund të 90 minutave i merituam plotësisht.

Fitoren e rrezikuat, pasi sfida nga 2-0 për Tiranën, shkoi në 2-2. Çfarë ndodhi?

Rezultati më i keq në futboll është ai 2-0 dhe këtë e folëm edhe në fund të pjesës së parë. Kjo, sepse mund të të përmbyset takimi. Na sulmuan gjatë gjithë kohës. Ne zbritëm poshtë. Nuk e di, një karambol dhe nga një tjetër top “i vdekur”, shënuan dy gola. Falë Zotit shënuam të tretin. I kemi merituar plotësisht këto tri pikë.

Tani jeni jashtë zonës së “Final 4”, a shkon Tirana në finalen e madhe të kampionatit?

Sigurisht që po. Deri në fund ne do të luftojmë për “Final 4” dhe do të jemi në finale. Ama ne luftojmë si për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Tirana i ka të dyja qëllimet dhe deri në fund do të luftojmë që t’i arrijmë. I kemi të gjitha mundësitë.

Pas rrjetës së shënuar në Shkodër, kujt ia dedikoni golin e dytë në Superiore?

Dedikimin e kam për familjen, e cila më ka qëndruar pranë dhe të afërmve të cilët më kanë përkrahur pas dëmtimeve të rënda. Gjithashtu edhe ekipit të Tiranës. Mendoj se jam kthyer ai që kërkon dhe kanë dashur në klub gjatë gjithë kësaj kohe.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"