“Në Shqipëri e duan më shumë futbollin sesa në Maqedoni”, Osmani: Vllaznia ime, për “Final 4” dhe Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 22:31

“Në Shqipëri e duan më shumë futbollin sesa në Maqedoni”, Osmani: Vllaznia ime, për “Final 4” dhe Kupën

Qatip Osmani është i kënaqur me atë që po bën deri më tani te Vllaznia, edhe pse e ka të qartë se për të arritur objektivat që ka klubi, duhet një tjetër marsh.

OSMANI

Trajneri nga Tetova ka folur dje për televizionin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, “Open TV”, duke rrëfyer tre muajt në Shkodër, si dhe pritshmëritë që ka në drejtim të kuqebluve, ku përveç “Final 4”, synohet fitimi i Kupës.

Zoti Osmani, si ju kanë pritur në Shkodër dhe a jeni i kënaqur me skuadrën deri më tani?

Si çdo fillim është i vështirë kudo që të jesh. Edhe për mua kështu ka qenë në Shkodër, pasi nuk ishin rezultatet që prisnim. Me kalimin e kohës, skuadra u stabilizua dhe morëm rezultate të mira. Kjo na dha një motiv shtesë për vazhdimësinë e kampionatit.

Vitin 2024 e nisët me fitore, sa e rëndësishme ishte kjo ndeshje, e cila përkoi me triumfin e katërt radhazi?

Më e rëndësishmja e kësaj ndeshjeje ishin tri pikët, pasi nuk kemi qenë në nivelin e duhur. Megjithatë, ndonjëherë edhe këto lojëra kur i fiton me vështirësi, e bëjnë të veten. Kjo fitore kishte peshë dhe sigurisht që jemi të kënaqur.

Bilanci juaj deri më tani si trajner i Vllaznisë është 5 fitore, dy barazime dhe dy humbje. Jeni brenda pritshmërive, apo keni pritur më tepër?

Kur kam marrë drejtimin e skuadrës, fokusi ka qenë gjithnjë ndeshja e radhës dhe shpresat kanë qenë për më mirë. Besimi im dhe i lojtarëve ka qenë se ky ekip mund të bëjë më tepër. Fitoret radhazi na ngrohin, por objektivat e Vllaznisë janë të mëdha. Jemi në katërshe dhe do të luftojmë deri në fund në Kupën e Shqipërisë. Do të mundohemi maksimalisht të arrijmë synimin e vendosur nga klubi.

Është përfolur se te Vllaznia mund të vijë në merkaton e janarit edhe Shkodran Mustafi, i cili në 2014-ën u shpall kampion bote me Gjermaninë. Si është e vërteta?

Nuk kam dëshirë të përmend emra, pasi drejtori sportiv aktualisht është në bisedime me disa lojtarë. Në këtë moment na duhen futbollistë, të cilët do të na rrisin nivelin e lojës, duke na ndihmuar drejt objektivave që kemi.

Cili është dallimi mes kampionatit shqiptar dhe atij maqedonas?

Këtu ka skuadra shumë më kualitative se në Maqedoninë e Veriut. Përshtypja ime është se në Shqipëri e duan më shumë futbollin. Edhe mediat bëjnë të vetën, pasi e popullarizojnë më shumë këtë sport. Kjo duket qartë që nga rezultatet e Kombëtares dhe skuadrave të Superiores që luajnë në Kupat e Europës. Infrastruktura këtu është shumë më e mirë se në Maqedoni. Shqipëria është padyshim një shembull se si duhet t’i bëjmë gjërat edhe ne në Maqedoni.

Gjatë tre muajve në Shkodër, cila është shprehja që të ka vrarë më shumë veshin nga qytetarët?

Nuk i kam vënë shumë rëndësi këtyre gjërave. Çdo qytet ka shprehjet e veta, ashtu si ne në Maqedoni.

ILIR CARA – PANORASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"