Ndeshjet jashtë fushe, makthi më i madh i Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 18:06

Ndeshjet jashtë fushe, makthi më i madh i Kukësit

Kukësi e sheh Tiranën si një mundësi për shpëtim. Përballë do të kenë një nga ekipet që po kalon një formë të dobët dhe verilindorët duan të përfitojnë në maksimum nga ky fakt dhe të marrin pikët që të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë. Fakti që pak ditë më parë të besuarit e trajnerit Devolli arritën të dominonin mbi bardheblutë në kupë dhe bërë një hap drejt finales, jep shpresë se edhe kësaj here kuksianët mund të bëjnë po aq mirë.

Kukesi

Barazimi i fundit me Dinamon ka zbehur shpresat për qëndrimin, por një fitore me ekipin tjetër kryeqytetas do ta rikthente sërish besimin. Për këtë arsye, në kampin blu i kanë dhënë vlerësimin maksimal ndeshjes. Një fitore e mundshme do t’i mbajë në tonus dhe të impenjuar kuksianët deri në fund. Shpesh trajneri dhe vetë lojtarët e kanë theksuar se Kukësi, sa ta lejojë matematika, do të besojë te mbijetesa.

TRANSFERTAT – Në situatën ku është Kukësi nuk i bën punë më as barazimi. Vetëm fitorja e mban në lojë deri në fund. Mirëpo verilindorët nuk i kanë mirë punët me transfertat. Bëhet fjalë për ekipin më të dobët sa u përket rezultateve që kanë marrë jashtë fushe këtë sezon. Ato kanë qenë edhe “thembra e Akilit” për Kukësin, që e kanë dërguar këtë skuadër në këto pozita. Në total blutë kanë vetëm 6 pikë larg “Kukës Arenës”, me një fitore ndaj Skënderbeut dhe tre barazime. Në përballjet e tjera ky ekip ka dalë i mundur. Janë pikërisht këto rezultate që e kanë lënë në vendin e fundit, sepse në shtëpi ekipi në një farë mënyre ka koleksionuar pikë të vlefshme. Ky duket se do të jetë problemi më i madh për ekipin e Devollit në përballjen me Tiranën, fitorja në transfertë. Janë plot 7 muaj që nuk marrin tri pikët në kampionat, por gjithsesi do ta tentojnë me Tiranën.

GRUPI – U bënë disa ndeshje që trajneri Devolli nuk e ka pasur të plotë grupin, me mungesa thuajse në çdo repart për arsye dëmtimesh. Në klub janë në luftë me kohën që t’i mundësojnë teknikut një grup sa më të plotë, edhe pse duhet thënë se Kukësi nuk i ka ndjerë shumë mungesat. Gjithsesi, edhe ndaj Tiranës këtë fundjavë gjasat janë që Devolli të hedhë në fushë të njëjtët titullarë, me të cilët ka luajtur ndeshjet e fundit.

VLADIMIR MEMA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"