Ndaj Kamzës luhet pa tifozë, zv.trajneri i Lushnjës: Kthesën e bëjmë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 16:17

Ndaj Kamzës luhet pa tifozë, zv.trajneri i Lushnjës: Kthesën e bëjmë në shtëpi

Paraqitja e mirë e verdhejeshilëve në ndeshjen me Flamurtarin pritet të jetë një shtysë që skuadra myzeqare të marrë pikët e para të fazës së tretë në shtëpi ndaj Kamzës. Zv/trajneri i Lushnjës, Dritan Çuko, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tha se Lushnja bëri një paraqitje të mirë ndaj Flamurtarit, duke shtuar se me rikthimin në shtëpi, lushnjarët do të kërkojnë rezultatin pozitiv në ndeshjen me Kamzën.

lushnja

“Ishte një paraqitje shumë e mirë e ekipit, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, në 15 minutat e para vuajtëm pak mbajtjen e topit. Në momentin që po e merrnim veten, u ndëshkuam nga një goditje standarde. Patëm episodet tona për të barazuar rezultatin dhe me pak kujdes mund të kishim ardhur me pikë nga Vlora. Goli i dytë m’u duk i parregullt. Mendoj se loja duhet të ishte ndaluar për faull në favor të Lushnjës. Kjo e acaroi pankinën dhe Byzhyti u ndëshkua me karton të kuq. Ishim me shpresa se mund të barazonim.

Megjithatë, ky është futbolli, humbet edhe kur luan mirë. Skuadrës i kemi dhënë një ditë pushim dhe sot(të martën) pasdite nisim përgatitjet për ndeshjen me Kamzën. Synojmë rezultatin pozitiv dhe fitoren. Luanim në fushën e skuadrës së dytë të kampionatit dhe iu afruam rezultatit. Tani rikthehemi në fushën tonë dhe kemi shumë besim. Mendoj se duke u përgatitur mirë për ndeshjen e radhës, mund të bëjmë një tjetër ndeshje të mirë, duke shpresuar që ta konkretizojmë me rezultatin pozitiv, me fitore”, u shpreh zv/trajneri Dritan Çuko.

Stadiumi “Roza Haxhiu” do të mbyllë dyert për ndeshjen Lushnja-Kamza. Takimi do të luhet pa praninë e publikut. Klubi lushnjar, pas katër ndëshkimeve në vlerë monetare, ka marrë një tjetër dënim që impianti lushnjar duhet të jetë i boshatisur për ndeshjen midis Lushnjës dhe Kamzës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"