“Na favorizon fusha”, Peposhi: I shkojmë deri në fund Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 21:29

“Na favorizon fusha”, Peposhi: I shkojmë deri në fund Kupës

Teuta është duke e vlerësuar në maksimum takimin e Kupës së Shqipërisë që do të luajë në mesjavë me Skënderbeun në “Niko Dovana”. Një duel i fortë, por durrsakët nuk do ta kenë të lehtë, duke parë edhe që përballë luan një ekip i mirë. Tashmë, durrsakët, pasi kanë marrë një pikë morali në kampionat, duan që ta mbyllin me sukses ndeshjen në Kupë.

peposhi

Në një intervistë për “Panorama Sport” lojtari i Teutës, Ergys Peposhi, shprehet se Teuta ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun. Peposhi beson fort te grupi i lojtarëve, por e pranon që kupa ka një specifikë tjetër ku duhet kujdes.

Pas 3 ditësh përgatitje, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?

Ne jemi gati në çdo moment, sepse jetojmë çdo ditë në këtë mënyrë, duke u stërvitur, duke mbajtur regjim edhe duke iu përkushtuar futbollit. Kjo ka qenë periudhë shumë e rëndësishme dhe e dobishme, sepse jemi duke u përgatitur në maksimum për këtë ndeshje dhe mezi e presim.

Të mërkurën prisni Skënderbeun, si e parashikon si ndeshje?

Jemi gati për përballjen ndaj Skënderbeut. Kjo ndeshje mendoj se ka ardhur në momentin e duhur. Kam bindjen se ndaj Skënderbeut, Teuta do të arrijë të marrë rezultat pozitiv, dhe të jemi në ritëm dhe për ndeshjen e kampionat. Për ne, kjo është ndeshje e rëndësishme, ndaj dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç fitores.

Një skuadër si Skënderbeu mund t’i bëjë keq Teutës?

Unë mendoj për skuadrën time dhe të përgatitemi sa më mirë. Do t’i respektojmë shumë kundërshtarët për atë që përfaqësojnë. Jemi të përqendruar vetëm te skuadra jonë, sepse në këtë ndeshje ndikojnë faktorë të ndryshëm.

Duke qenë se është ndeshje me një takim, dhe luani në shtëpi ju favorizon?

Unë do isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim. Patjetër që Kupa ka specifikën e saj, por mendoj që mbi gjithçka është është fitorja. Normale që më e mira do të ishte sikur të fitonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe të pësosh. Është diçka plus që luajmë në Durrës kështu që kemi një shans për të bërë mirë.

Do të dëshironit ta mbyllnin këtë duel brenda 90 minutave?

Dua të them që përgjatë 90 minutave do të japim gjithçka për të marrë maksimumin. Të gjithë duhet të tregojmë atë çka kemi punuar deri tani dhe ka ardhur momenti për të treguar fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje kaq decizive si kjo ndaj Skënderbeut.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"