Muriqi premton: Do ju bind të gjithëve te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2013 | 13:08

Muriqi premton: Do ju bind të gjithëve te Teuta

vedati16-283x300Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, ka arritur akordin me drejtuesit e klubit të Teutës. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë futbollisti, teksa ka pohuar se do të jetë pjesë e durrsakëve për një vit e gjysmë. “Kemi arritur marrëveshje për një vit e gjysmë. Do të jap maksimumin për të treguar vlerat e mia më të mira”, – ka thënë Muriqi. Ai ditë më parë u largua nga skuadra e Lirisë së Prizrenit, ndërsa tashmë do të mbajë veshur një tjetër fanellë, pikërisht atë durrsake. Muriqi u testua nga stafi teknik në ndeshjen miqësore me Kukësin, ku paraqitja e tij ishte për t’u vlerësuar. Ai arriti t’i bindë trajnerin Begeja dhe presidentin Hasanbelliu që t’i besojnë një vend në skuadër. Nga parametrat dhe niveli i lojës që tregoi në miqësoren ndaj Kukësit, ku edhe shënoi, në Durrës janë të bindur se kanë gjetur një sulmues të madh. Gjithsesi, këtë do ta vërtetojë koha.
Largimet – Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, u ka treguar “derën” lojtarëve të padobishëm që kishin ardhur për provë te “djemtë e detit”, ndër ta edhe brazilianit Fonseka. Ky i fundit u largua, pasi pozicioni në të cilin luante nuk kishte nevojë për përforcime, ndërsa për disa emra të rinj ishte thjesht një aventurë stërvitja disaditore me nënkampionen. Ndër ta ka përfituar vetëm kosovari Vedat Muriqi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, trajneri Begeja bëri të ditur se me ardhjen e Tepshit dhe Muriqit repartin ofensiv është i kompletuar. Ai nuk përjashtoi edhe përforcimin me ndonjë lojtar tjetër. “Skuadra do të jetë po ajo e fazës së parë. Ne do ta bazojmë sërish lojën po tek të njëjtët lojtarë, me përjashtim të ndonjë përforcimi. Kemi afruar dytre lojtarë cilësorë, ndërsa shpresojmë që ditët në vijim të kemi edhe ndonjë përforcim tjetër”, – tha Begeja. Duke vijuar më tej, pohoi se skuadra ka nevojë edhe për prurje të tjera. “Deri në fund të sezonit është një rrugë shumë e gjatë dhe, për ta përshkuar me sukses, duhet një kontingjent i mirë lojtarësh”. Ndërkaq, skuadra është grumbulluar për të zhvilluar dy javë fazë përgatitore.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"