Tirana, blof në Patos. Donatorët shkarkojnë trajnerin Nevil Dede, vendin e tij e zë Gallo

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Tetor 24, 2013 | 14:00

Tirana, blof në Patos. Donatorët shkarkojnë trajnerin Nevil Dede, vendin e tij e zë Gallo

Dede NevilTirana ka nxituar në vendimmarrjen e vet sa i takon trajnerit Nevil Dede. Mesa duket humbja në Patos, në raundin e parë eliminator të Kupës së Shqipërisë, nuk është kapërdirë lehtë nga dontorët. Këta të fundit kanë vendosur ta shkarkojnë Deden para ultimatumit të fundit, që i kishin vendosur, ndeshjen e javës së 9-të me Besën. Në vend të tij është emëruar një tjetër ish-lojtar i bardhebluve, që ka provuar edhe rolin e ndihmëstrajnerit te Tirana, Alpin Gallo. Nuk dihet nëse kjo është një zgjidhje afatgjatë, apo e momentit, kur dihet se drejtuesit e Tiranës “nën rrogoz” po kërkonin një teknik të sprovuar për skuadrën e tyre, që të marrë përsipër kalimin e situatës së vështirë, e cila i vë 24 herë kampionët e vendit përballë rrezikut të rënies nga Superiorja.

Tirana del blof, Albpetroli e mund edhe me rezerva
ALBPETROLI-TIRANA 1-0

GOLI: Xharkalliu 16′
ALBPETROLI: Kaja, Mbyeti, Çemeri, Derka (Asllanaj 65′), Xharkalliu, Hatia, Koreshi (Idershai58′), Siqeca, Gjoka, Hyseni, Hasa (Ruço 80′) Trajner: A.Bedini.
TIRANA: Sejdo, Kërçiku (Sina 67′), Kaja, Kalari, Kotobelli (Muça 46′) Kastrati (Pashaj 78′), Taku, Karabeci, Çaushaj, Çota, Sorra; Trajner: N.Dede.
KARTON I VERDHË: Karabeci 39′
GJYQTAR: E.Malo, E.Tafili (Memaliaj), P.Puto (Gjirokastër)
VËZHGUES: Xh.Kaçorri
DELEGAT: D.Babamusta

Tirana zhgënjen në Patos. Bardheblutë e kanë nisur me humbje aventurën në kupë, duke u mposhtur nga Albpetroli në transfertë. Vendësit ia kanë dalë edhe pse me rezerva. Sakaq, kryeqytetasit nga ana tjetër zbritën me një formacion të ndërthurur, ku veç lojtarëve të stolit, kishte edhe titullarë, krijuan raste pa fund, por nuk arritën të finalizonin. Takimi filloi më i mirë për patosarakët. Ata u shfaqen tepërt kërkues dhe të karikuar dhe kjo shoqërohet edhe me sulme të vazhdueshme. Këmbëngulja e skuadrës së Bedinit gjen rezultat në minutën e 16-të, teksa Xharkalliu çon në avantazh patosarakët. Goditje këndi, mbrojtësi i ardhur në ndihmë të sulmit harrohet nga defensiva e miqve, gjuan dhe 1-0. Reagimi i bardhebluve është i menjëhershëm, por Çota i vetëm në vijën e parë nuk mjafton për t’i konkretizuar këto episode. Megjithatë, sulmuesi i Tiranës nuk dorëzohet, dhe në të 21-n minutë përfiton nga dalja e gabuar e portierit vendës, gjuan, por topi largohet nga mbrojtësi Mbyeti, pa kaluar vijën fatale. Pjesa e parë përfundon 1-0 në favor të Albpetrolit. Fraksioni i dytë i lojës fillon më mirë për ekipin e Dedës, të cilët duke mos u pajtuar me rezultatin kërkojnë që të zënë në befasi vendësit, por mbrojtja mike dhe portieri kthehen në një barrikadë. Bardheblutë vazhdojnë të krijojnë presion, teksa për minuta me radhë spostohen në gjysmëfushën e patosarakëve. Por, edhe me rastet për shënim që kishin, nuk arritën të barazonin. Përkundrazi, ishin vendësit që me anë të Siqecës, në minutën e fundit shtesë rrezikuan portën e Sejdos, por gjyqtari kryesor mbylli gjithçka, kur ekipi ishte në aksion. Kështu i gjithë takimi përfundoi me shifrat 1-0 për Albpetrolin.
Kritikat – Fundi i ndeshjes është shoqëruar me kritika te Tirana. Donatori Babasi ka shpërthyer ndaj lojtarëve, duke vënë në dukje faktin që edhe pse po paguhen, janë të pafuqishëm në fushë. Madje sikundër tregojnë burime pranë ekipit, mësohet se u ka thënë: “Ikni në shtëpi, nuk jeni për këtë punë. Po ju paguaj sipas rregullave, por në fund nuk dini të shënoni e të fitoni”. Pritet që sot të bëhet një analizë më e detajuar për këtë humbje në ndeshjen e parë të kupës.

Alimehmeti: Humbëm, por në kthim e përmbysim
Krenar Alimehmeti, administratori i Tiranës, në fund të takimit ka komentuar humbjen e pësuar në Patos. Gjithsesi, ai nuk e vë në diskutim kualifikimin, teksa beson te përmbysja e rezultatit në ndeshjen e kthimit. “Zhvilluam një lojë të kënaqshme, edhe pse kishim mungesa në formacionin bazë. Krijuam shumë raste, por nuk shënuan dot. Megjithatë, duhet pranuar se Albpetroli e meritoi fitoren. Mendoj se në kthim do të përmbysim gjithçka dhe do kualifikohemi për në turin tjetër”, – tha administratori.

Largohet portieri Vashaku
Bledar Vashaku nuk është më pjesë e Tiranës. Portieri i tretë, prej ditësh nuk duket në stërvitjen e bardhebluve dhe nga sa mësohet, ai nuk po stërvitet pasi nuk është paguar, ndryshe nga pjesa tjetër e lojtarëve. Ish-portieri i Laçit u afrua te kryeqytetasit në ditën e fundit të merkatos së verës, por që prej asaj kohe nuk ka luajtur asnjë ndeshje si bardheblu.

Bedini: E merituam, luajtëm me nëntë lojtarë stoli
Agim Bedini, trajneri i Albpetrolit, e cilëson fitoren totalisht të merituar. “Ekipi ka rritje në lojën e tij. Me rastet e krijuara mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol tjetër. Gjithsesi, ky ishte një test për ndeshjen e kampionatit që do të luajmë të shtunën ndaj Kamzës. Aktivizuam 9 lojtarë të stolit, të cilët zhvilluan një lojë të mirë e të kënaqshme, duke na vënë në dilema për ndërtimin e formacionit. E merituam fitoren, uroj që një gjë e tillë të përsëritet edhe në kampionat”, – tha tekniku.
MIKEL MBRIÇAJ






www.minuta90.com