Miqësorja, Shqipëria U-17 “shtanget” në limit nga sllovenët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2013 | 10:59

Miqësorja, Shqipëria U-17 “shtanget” në limit nga sllovenët

3U-17 SHQIPËRI-SLLOVENI 1-1
SHËNUES: Hyseni 7′, Ivkiç 40′
SHQIPËRIA: Kastrati, Toli, Bregasi, Domgjoni, Feka, Bare, Raxha, Cenaj, Grainca, Taipi, Hyseni.
U aktivizuan: Morina, Gashi, Meraj, Zoixi, Osmanovaj. Trajner: Xhemal Mustedanagiç
SLLOVENIA: Matosec, Klementiç, Ahec, Ivkiç, Zuzek, Kuhar, Bracko, Repas, Bjedov, Marcius, Kolar.
U aktivizuan: Dediç, Peshireviç, Susnjara. Trajner: Borut Jarc
GJYQTARË: Andi Koçi/ F.Lama dhe E.Velo (Durrës)
KARTONË TË VERDHË: Raxha

Shqipëria U-17 barazon me homologen e vet sl ovene në një miqësore të zhvilluar dje në stadiumin e Kavajës. Golit të sulmuesit tonë Hyseni në minutën e 7-të iu kundërpërgjigj Ivkiç në fundin e pjesës së parë, por përtej rezultatit duhet thënë se kuqezinjtë e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç dominuan më së shumti këtë takim, duke pasur disa raste për shënim. Ndërkohë qëllimi i teknikut tonë dhe atij slloven njëkohësisht ka qenë evidentimi i lojtarëve të rinj që kanë afruar në skuadrat e tyre në pritje të startit të kualifikimeve për Europianin e vitit tjetër.
Golat – Që në minutat e para shihet një Shqipëri, e cila kërkon ta shpërngulë lojën e saj drejt sulmit. Janë disa aksione që organizohen model që nga mesfusha nga këmbët e organizatorit Bare, ndër më të mirët në fushë, drejt sulmuesit kryesor Hyseni. Si rezultat i këtij presioni qendërsulmuesi ynë shënon me kokë brenda zonës pas një krosimi nga e majta, duke e kaluar Shqipërinë në avantazh. Kundërpërgjigjen menjëherë sllovenët, të cilët me pasime diagonale në thellësi dhe topa të shpejtë, arrijnë ta nxjerrin të lirë sulmuesin e tyre kryesor Kolar. Ky i fundit shmang edhe daljen e portierit tonë, por vetëm ndërhyrja në çastin e fundit të mbrojtësit Bregasi evitoi golin e sigurt. Pas këtij rasti ringjallet përsëri loja jonë dhe Shqipëria zbret pastër e bukur tri herë të tjera në zonën mike, por në fund goditjet dështojnë. Për të ardhur në minutën e 40-të, kur mbrojtësi Ivkiç fotokopjon golin tonë, ndërsa kërcen me kokë dhe shënon golin e barazimit.
Administrimi – Në tërësi ishte një 40 minutësh i mirë për Kombëtaren tonë (ndeshjet e kësaj kategorie luhen nga 40 minuta, jo nga 45), ku binin në sy për cilësitë e tyre organizatori Bare, tepër i fortë e teknik; qendërsulmuesi Hyseni që kishte një lëvizshmëri mjaft të mirë, me dhe pa top; sulmuesi i dytë Grainca, si dhe mbrojtësi i majtë Feka. Miqtë bazoheshin më shumë te grupi, ku diferencë bënin organizatori Markus e mbrojtësi Klementiç. Ndërkohë, fraksioni i dytë i lojës ishte larg asaj që të dyja skuadrat shfaqën në pjesën e parë. Më shumë ato u kujdesën që të mos pësonin gol nëpërmjet pasimeve të shpeshta kryesisht në mesfushë, ku shumë prej tyre ishin të gabuara. Nga zëvendësuesit e Shqipërisë vetëm Morina dëshmoi diçka në këtë pjesë në rolin e mesfushorit të majtë.

Mustedanagiç: U-17 e kualifikoj në Europian
Trajneri i Shqipërisë, Xhemal Mustedanagiç, e ka vlerësuar lojën e të tijve, duke shkuar edhe më tej. Ai ka pohuar se do ta kualifikojë këtë skuadër në Europianin e 2014-ës. “Jam i kënaqur me rezultatin dhe deri diku me lojën. Pavarësisht se u grumbulluam vetëm 7 ditë para sfidës, na duhet ende shumë punë individuale me lojtarët dhe duhet t’u japim hapësirën e duhur këtyre lojtarëve për të marrë më të mirën prej tyre. Gjithsesi, unë e kam thënë edhe më parë se Shqipëria do të ketë ekip pretendent për Europianin e vitit 2014”, – the dje Mustedanagiç.

Jarc, i kënaqur me mikpritjen
Trajneri i Sllovenisë, Borut Jarc, ka mbetur i mahnitur nga mikpritja në Shqipëri. “Jemi të kënaqur me pritjen miqësore në Shqipëri dhe falënderojmë FSHF-në për kushtet ideale të ndeshjes. Patëm mundësi të testonim forcën tonë në këtë sfidë dhe arrita të marr disa përgjigje. Skuadra ndodhet në fazë seleksionimi, ndaj për momentin mund të them se më kënaqi pjesërisht. Sa i përket ekipit shqiptar, ai luante mjaft fort dhe parë kështu, ne nuk ishim në maksimum tonë. Më pëlqeu deti juaj. Edhe njëherë faleminderit Shqipëri për mikpritjen”, – u shpreh tekniku i Sllovenisë.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"