Miho: Apolonia si makineri, është momenti për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 12:33

Miho: Apolonia si makineri, është momenti për…

Në javën VI për Grupin B të Kate gorisë së Parë, në tapetin e “Gjorgji Kyçykut” do të zbresin Pogradeci dhe Apolonia për të matur forcat mes tyre, në një grup kaq të ndërlikuar dhe në një garë kaq të fortë deri tani. Vetëm 1 pikë i ndan në tabelë Pogradecin dhe Apoloninë, ndërsa si pozicion liqenorët renditen të dytët, ndërsa bardhejeshilët të pestët.

Miho

Ndonëse vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar në derbin e këtij grupi LushnjaBylis, nuk është më pak interesante ndeshja mes Pogradecit dhe Apolonisë, dy skuadra që gjithmonë kanë zhvilluar takime të luftuara, të hapura dhe korrekte mes tyre.

MIHO Trajneri i Apolonisë, Marjol Miho, dhe skuadra e tij kanë punuar fort gjatë dy javëve, me të vetmin fokus, Pogradecin. “Harrojeni Kupën! Pogradeci i kampionatit është një skuadër shumë e fortë. Jemi përgatitur me përkushtim maksimal dhe angazhim të plotë gjatë kësaj kohe që kemi pasur në dispozicion. Ndërprerja e kampionatit na ka ndihmuar për të studiuar më mirë dhe korrigjuar disa problemet tona të vogla. Gjithmonë e kemi vlerësuar në maksimum dhe me respekt Pogradecin, si një ekip që di të luajë futboll korrekt, skuadër shumë serioze, me futboll të bukur dhe me mentalitet të fortë.

apol

Kolegu Fetollari ka bërë një punë të mirë dhe ne e pamë në vështirësinë që hasëm në Kupë, ku nuk e patëm të lehtë kualifikimin. Një tjetër fakt për ta vlerësuar edhe më shumë kundërshtarin: ata luajtën me lojtarë të rinj në Kupë, ndaj nuk është i njëjti kontekst këtë herë, pasi në kampionat na pret një ekip i fortë, i etur për fitore vazhdimësie, skuadër që ka fituar me Besën dhe Egnatian, dy nga më të fortat e grupit. Synimi ynë është të luajmë pa komplekse, të qetë, të dalim në lojën që dimë të bëjmë ne dhe të kërkojmë përmbushjen e objektivit që kemi në çdo takim e në çdo fushë, fitoren”, deklaron për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Marjol Miho.

Është hera e tretë që këto dy skuadra ndeshen gjatë këtij edicioni; dy ndeshjet e kaluara kanë qenë për llogari të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, ku Apolonia është kualifikuar në sajë të dy fitoreve: 1-0 në Pogradec dhe 3-2 në Fier. Apolonia dhe Pogradeci janë ndeshur në Superligë për herë të fundit në sezonin 2011-2012, ku kanë fituar liqenorët në Fier 3-2, ndërsa në “Gjorgji Kyçyku” skuadrat janë ndarë në barazim 1-1.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"