Mezani: Flamurtari ka “goditur”, të vetmit që ruajtën boshtin për t’u ngjitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2023 | 18:49

Mezani: Flamurtari ka “goditur”, të vetmit që ruajtën boshtin për t’u ngjitur

Gentjan Mezani e sheh të ngjitur Flamurtarin. Ish-trajneri vlerëson merkaton e bërë nga ana e klubit, duke u bazuar më së shumti te tregu vendës dhe afrimi i lojtarëve me përvojë. Gjatë një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 43-vjeçari jep edhe një këshillë për vlonjatët.

Mezani

Ai apelon që skuadra të mos gabojë shumë dhe sidomos të ketë kujdes nga rivalët direkt. Pikërisht këtë nuk bëri si duhet vjet dhe si pasojë misioni dështoi. Zbulon edhe të ardhmen e tij, që si duket do të jetë Kosova. Pas aventurës me Laçin, është pranë rikthimit te Gjilani.

Flamurtari këtë sezon ka afruar më shumë lojtarë shqiptarë. Si e shikoni këtë?
Shumë pozitive. Mendoj që është një lëvizje shumë e mirë, pasi janë lojtarë që e njohin mirë kampionatin. Është bërë një merkato e mirë dhe e kujdesshme me sa shoh. Lojtarët e afruar kanë eksperiencën e duhur dhe të nevojshme për të mbajtur përgjegjësitë e duhura për skuadrën. Forca e këtij Flamurtari është grupi. Kanë shumë cilësi brenda.

Çfarë nuk bënë si duhet vjet, që objektivi dështoi?
Kampionatin e kaluar Flamurtari e ka humbur në ndeshjet me kundërshtarët direkt, siç ishte Dinamo, por dhe Skënderbeun. Në ato ndeshje duhej të ishin treguar më të kujdesshëm. Them se këto gabime që bënë sollën atë rezultat ku skuadra gjendet sot në Kategorinë e Parë përsëri.

Besoni se i kanë shanset për arritjen e objektivit sezonin e ri?
Flamurtari edhe këtë vit është ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore. Ndryshe nga të tjerat, është një skuadër që e ka ruajtur boshtin kryesor.

E avantazhin ky fakt?
Kjo gjë e bën më të avantazhuar se skuadrat e tjera dhe është një gjë shumë e mirë.

Një sezon më parë gara ishte vërtet e fortë, po këtë vit si e parashikoni?
Futbolli është gjithmonë i vështirë, sepse nisesh gjithmonë i barabartë me këdo skuadër. Por në qoftë se do të gabojnë më pak se vitin e kaluar, mendoj që i kanë të gjitha shanset për t’u ngjitur. E kanë vetë në dorë. Duhet që të gabojnë sa më pak për të arritur objektivin që kanë. Të gjithë duam që ta shikojmë sa më shpejt Flamurtarin në Superiore. Kjo skuadër është e destinuar për të qenë në elitën e futbollit shqiptar.

Ju aktualisht me çfarë po merreni?
Jam në bisedime me një ekip. Mendoj se së shpejti do të kemi diçka pozitive për vazhdimësinë time.

Mund të na zbuloni më shumë, bëhet fjalë për në Shqipëri apo jashtë saj?
Aktualisht që po flasim bashkë, po udhëtoj drejt Kosovës.

Po thoni që po riktheheni në Kosovë?
Pak a shumë është kështu. (Qesh).

Meqenëse nisët rrëfimin, çojeni deri në fund. Në cilën skuadër…?
Më kapët pak keq, nuk doja ta zbuloja në këto momente. Megjithatë diçka po ua them… Jam në bisedime me Gjilanin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"