“Mendojmë vetëm për derbin jo për Final 4”, Mehmeti: Dinamo e motivuar dhe gati për Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 10:37

“Mendojmë vetëm për derbin jo për Final 4”, Mehmeti: Dinamo e motivuar dhe gati për Tiranën

Dinamo do të luajë derbin ndaj Tiranës, një sfidë që mund të rezultatojë vendimtare për fatet e sezonit. Në konferencën për shtyp, trajneri Dritan Mehmeti u shpreh se ai shikon vetëm sfidën e radhës, pa menduar për Final 4.

dritan mehmeti

Dinamo nuk e luajti ndeshjen me Teutën dhe ju keni pasur më shumë kohë të përgatiteni për derbin ndaj Tiranës. Sa ka ndikuar kjo?

Mendoj se nuk ka ndryshim të madh. Ne ishim gati për të luajtur ndaj Teutës. Na prishi pak mikrociklin stërvitor, por kjo nuk ndikon për ndeshjen ndaj Tiranës. Na mungoi pak ritmi, por tashmë shohim para.

Si keni përgatitur derbin?

Për të përgatitur një derbi, bonusi emocional është në maksimum, kështu që ka motivim më të madh. Kemi punuar më shumë në aspektin tekniko-taktik. Derbi gjithnjë është e paparashikueshëm dhe vetëm ndeshja mund të japë një përgjigje më të saktë se si e ke përgatitur.

Si paraqitet gjendja e skuadrës, cilat janë mungesat?

Kemi dy probleme, dy lojtarë që nuk i kemi prezentë, Gudjabi, i cili ka dalë i dëmtuar në ndeshjen e fundit. Gjithashtu, edhe Patrik Bardhi, i cili gjithashtu nuk do të jetë dhe do të qëndrojë jashtë për 10 ditë, sepse ka probleme. Pjesa tjetër pastaj janë prezentë, janë stërvitur mirë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Dinamo vjen disi më e pjekur krahasur me ndeshjet e tjera ndaj Tiranës…?

Skuadra e Dinamos ka kaluar disa tranzincione, madje edhe gjatë këtij kampionati, sepse mos harrojmë se ekipi erdhi nga Kategoria e Parë, ku pati shumë largime dhe afrime lojtarësh.. Këta ndikojnë që të kesh oshilacione gjatë një sezoni, por ndonjëherë edhe brenda një ndeshje. Gjithsesi, skuadra është rritur shumë sa i përket mentalitetit fitues dhe aspektit psikologjik. Dinamo ka fituar besimin për vlerat që posedon.

Tirana nuk fiton prej shtatë ndeshjesh, ndikon kjo?

Jo, kjo nuk ndikon aspak, për më tepër që është një ndeshje derbi. Ne e dimë edhe nga historia që skuadra që ka pasur më shumë probleme ia ka dalë jo pak herë të fitojë. Pra, nuk është një nga faktorët që mund të ndikojë.

Sa i takon Final 4, Dinamo ka dy ndeshje direkte, plus edhe një sfidë të prapambetur…

Kemi një objektiv për të pasur stabilitet këtë sezon dhe për të ndërtuar një ekip kompetitiv për të ardhmen, ku të synojë trofe. Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës, për më tepër që është derbi. Nuk mund të mendojmë më shumë sepse do të na shpërqendronte.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"