Memushi: Për Flamurtarin ia vlen të japim edhe jetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2024 | 10:08

Memushi: Për Flamurtarin ia vlen të japim edhe jetën

Eqerem Memushi rikthehet në pankinë pas faljes nga Disiplina. Trajneri vlonjat, thotë se pavarësisht që nuk pati asgjë të ekzagjeruar, mendon se është një mësim për t’i sqaruar gjërat në moment. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Memushi thekson se me Lushnjën skuadra është e dënuar për të fituar. Rikthehet pas në kohë, teksa kujton kthimin nga Italia në vitin 2005. Nuk është aspak pishman për atë kohë, ndërsa pohon se për Flamurtarin jep edhe jetën.

memushi

Disiplina iu fali, vendim i pritshëm?

Ishte një vendim i pritshëm, pasi të them të vërtetën ne po shikojmë ngjarjet që ndodhin. Mos t’i zëmë në gojë, mend për herë tjetër.

Mend për herë tjetër për ju që të jeni më i qetë, apo…?

Unë do vazhdoj punën time. Mend për herë tjetër, që t’i sqarojmë aty gjërat, në moment. Unë di që atë ditë çdo gjë ishte më se normale. Tensionet e ndeshjes ndodhin në çdo pankinë. Nuk i uroj asnjë kolegu që t’i ndodhë kjo. Ishte vendim i ekzagjeruar.

Mendoni se edhe në Krujë pati tendenca kundër Flamurtarit nga arbitri?

Nuk dua ta prek fare këtë gjë. Flamurtari duhet të vazhdojë rrugën, të shikoj punën e tij dhe të jetë i përgatitur që të luaj kundër të gjithëve. Kështu e përgatisë skuadrën që të luajë në çdo takim. Pjesa e parë e analizës që bëjmë është kjo: s’kemi punë as me kundërshtarin, as me… Të luajmë vetë, brenda rregullave dhe kundër të gjithëve.

Keni fituar besimin e kolegëve tuaj dhe opinionit sportiv. Si ndiheni?

Ata e shikojnë nga jashtë. Unë mundohem të bëj punën time me shumë përkushtim dhe dinjitet për qytetin. Të drejtosh Flamurtarin ke shumë përgjegjësi, je si ish-lojtar e trajner i qytetit tënd. Përgjegjësitë bëhen trefish. Ata e shohin më mirë punën time nga jashtë dhe përderisa më vlerësojnë i falënderoj shumë. Më japim një shtysë më të madhe që unë të jem akoma më shumë i përkushtuar për Flamurtarin.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Lushnjën?

Flamurtari është i dënuar për fitore në çdo ndeshje, nëse duam të krijojmë fizionominë, portretin dhe personalitetin. Unë i bëj apel të gjithë skuadrës, që të jemi më të bashkuar se kurrë. Nuk mund të na ndodhin më ato që na ndodhën. T’i harrojmë në mënyrë më urgjente, nga ndeshja e sotme në fushën tonë. Si në Krujë, të jetë një autokritikë edhe përballë sportdashësve vlonjat e të zhdukim çdolloj paragjykimi. Flamurtari nuk është i aleancave, është vetëm i Flamurtarit.

Vjen Lushnja dhe ish-trajneri Gugash Magani. Keni një koment?

Mirëse të vijnë! I uroj mirëseardhjen. Kundërshtari ka vlerësimin e tij, i urojmë suksese! Në fund, të gjithë dinë të luajnë futboll e ta vlerësojnë momentin. Kjo ndeshje në Vlorë është vendimtare për ne. Është detyrë shtëpie për ta fituar.

E prisni mbështetjen e tifozëve?

Mbështetja e tifozëve duhet të jetë e madhe. Të bëjnë autokritikë dhe në shtëpi dhe të përsërisim suksesin e fundit kundër Kastriotit. Tifozët nuk duhet ta kenë në mendje Burrelin, ta harrojnë sa më shpejt.

Ish-drejtori, Përparim Lushaj u shpreh se Flamurtari i këtij sezoni ngjason me atë të vitit 2005, në të njëjtat pozita…

Ne e kemi thënë që lojtarët janë, kualiteti është. Kemi gabuar pak me pikët që kemi lënë në shtëpi. Si futboll, mund të themi se ekipi është më cilësor. Kurse ai ekip ka qenë më me karakter e më shumë vlonjat.

Erdhët nga Italia për Flamurtarin e 2005-ës. Kush ju telefonoi?

Ka qenë një bisedë e dy miqve të mi. Luan Birçe duke folur me Përparim Lushnjën më bënë ofertë për t’u kthyer. Asokohe unë trajnoja një ekip nga Trieste, në provincën e Venecias. Dëshira u realizua, erdhëm dhe u ngulëm këtu. Mendoj se punuam mirë, realizuam objektiv madhor, ngjitëm Flamurtarin në Superiore. Duke vazhduar ekipi u konsolidua dhe arriti të luante në Kupat e Europës. Kemi fituar dhe dy Kupa të Shqipërisë.

Ia vlejti rikthimi nga Italia për Flamurtarin?

Për Flamurtarin ia vlen çdo gjë. Ia vlen që të japim edhe jetën jo më rikthimin nga Italia.

flam

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"