Mema tregon situatën te Kastrioti: Presim Hasanin, jemi në negociata me disa lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 18:39

Mema tregon situatën te Kastrioti: Presim Hasanin, jemi në negociata me disa lojtarë

Kastrioti po vijon normalisht stërvitjen dhe po pret rikthimin e kampionatit. Pas disa ditësh përgatitje në stadiumin “Redi Maloku”, krutanët janë rikthyer në Kamzë. Nën drejtimin e trajnerit Ardian Mema, ekipi po bëhet gati për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajë ditën e shtunë në orën 16:00 në Durrës me Teutën.

mema

Në prag të kësaj përballjeje, trajneri kryeqytetas është shprehur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” se ky takim është tepër i rëndësishëm. Ai gjithashtu foli edhe për merkaton e Kastriotit.

Pas tri javësh në krye të Kastriotit, si është situata në ekip në prag të ndeshjes me Teutën?
Siç e thatë edhe ju, u bënë tri javë që po punojmë bashkë me lojtarët dhe stafin e Kastriotit. Deri tani jam i kënaqur me seancat stërvitore. Kemi zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Vllazninë në Shkodër dhe aty lojtarët kanë prodhuar momente të mira loje. Lajm i mirë është se edhe ata që kanë qenë të dëmtuar janë rikuperuar dhe për momentin vetëm Edon Hasani, ai i cili ka një shqetësim nga miqësorja e fundit, por shpresojmë që deri të shtunën ndaj Teutës të jetë gati.

Si e shihni përballjen me durrsakët?
Jemi duke e përgatitur këtë ndeshje, e shikojmë me mjaft interes sepse kjo është një ndeshje tepër e rëndësishme për Kastriotin, duke iu referuar edhe tabelës së klasifikimit, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht.

Ardhja juaj në stolin e Kastriotit, ka ndikuar te lojtarët?
Gjendja e ekipit është optimale. Gjatë tri javëve që unë drejtoj këtë ekip, lojtarët kanë qenë mjaft korrektë dhe u janë përgjigjur ideve të mia, edhe pse duhet pak më shumë kohë. Me ndërrimet e trajnerëve ndryshojnë edhe mënyrat e lojës. Këtë kohë jam i kënaqur me lojtarët në përgjithësi sepse u janë përshtatur më së miri ideve të mia dhe këtë e pashë në miqësoren ndaj Vllaznisë. Kjo më jep shpresë për vazhdimësinë.

A do të ketë afrime në merkaton e janarit?
Po, janë dy-tre lojtarë që klubi është në bisedime për t’i afruar në ekip, por në këtë pjesë duhet pasur kujdes pasi na nevojiten lojtarë më të mirë sesa këta që kemi aktualisht. Kështu që po veprohet me kujdes sa u përket këtyre afrimeve.

Po sa u përket largimeve, keni menduar ndonjë emër apo grupi nuk do të lëvizë?
Nuk kemi larguar dhe nuk do të largojmë asnjë lojtar. Për mendimin tim grupi i lojtarëve është solid dhe me këta futbollistë do të mbyllim këtë kampionat deri në fund, siç Kastrioti e kaloi edhe në sezonin e kaluar.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"