Mbyllet Olimpiada/ SHBA parakalon në finish Kinën, shikoni tabelën e plotë të medaljeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 10:55

Mbyllet Olimpiada/ SHBA parakalon në finish Kinën, shikoni tabelën e plotë të medaljeve

Eventi më madhor global i sportit, Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat siç dihet u shtynë me një vit për shkak të pandemisë, kanë ulur dje siparin në kryeqytetin japonez, aty ku u zhvillua edhe ceremonia e zyrtare e mbylljes së aktivitetit. Epilogu i Olimpiadës ishte shumë emocionues dhe i denjë për filmat hollivudianë, te të cilët gjithnjë në fund fitojnë amerikanët. Një skenar i tillë u bë realitet në “Tokio 2020”.

Olimpiada

Falë një paraqitjeje të shkëlqyer në ditën e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shpallën fituese të Olimpiadës, teksa parakaluan Kinën me medalje. Me 39 medalje ari, 41 argjendi, 33 bronzi dhe 113 në total, SHBA-ja u ngjitën në shkallën më të lartë të podiumit të përgjithshëm të medaljeve, me Kinën që zbriti në vendin e dytë, ndonëse kishte kryesuar për ditë me radhë. Kinezët e përfunduan Olimpiadën me 38 medalje ari, 32 argjendi dhe 18 bronzi, me një total prej 88 medaljesh.

Ndërsa në top-3 u pozicionua edhe Japonia, e cila koleksionoi 27 ari, 14 argjendi dhe 17 bronzi (58 në total). Një paraqitje shumë e mirë kjo e vendësve në eventin e shtëpisë. Duke u kthyer te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, decizive për parakalimin final rezultuan katër medaljet e arta të fituara ditën e djeshme. Medalje që mbajnë firmën e basketbollit të femrave, volejbollit të femrave, boksit dhe çiklizmit të femrave, ndërsa Kina nuk mundi të marrte asnjë të artë.

Olimpiada2

Por, skuadra olimpike amerikane realizoi gjithashtu një paraqitje fantastike edhe të shtunën, në ditën e parafundit, me suksese të dyfishta në atletikë në garën e stafetës 4×400 metra, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Kombëtarja e basketbollit të meshkujve bëri “detyrën” duke mundur në finale Francën me 87-82, ndërsa një tjetër e artë erdhi nga sporti i golfit individual për femra (Neli Korda). Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dihet ishin favoritet kryesore për triumfin final, por paraqitja e Kinës e vendosi në dyshim të madh suksesin e tyre.

Ndërkohë në top-10 përfundmitare në “Tokio 2020” për sa i përket klasifikimit të medaljeve vijojnë me radhë Britania e Madhe, Komitetin Olimpik Rus, Australia, Holanda, Franca, Gjermania dhe Italia. Këta të fundit shënuan paraqitjen më të suksesshme në historinë e tyre në Lojërat Olimpike, teksa koleksionuan 10 medalje ari, 10 argjendi dhe 20 bronzi. Lojërat Olimpike do të rikthehen pas vetëm tri vitesh në Francë, me eventin “Paris 2024”.

Tabela e medaljeve logo

tabela e medaljeve 2 logo

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"