Mbrojtje e hekurt, por Spanja “qan” sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2014 | 16:11

Mbrojtje e hekurt, por Spanja “qan” sulmin

SpanjaSpanja është kampionia në fuqi e botës dhe një prej pretendenteve kryesore për të ngritur sërish trofeun. Në fillim Luis Aragones dhe më pas Del Boske krijuan një skuadër të pathyeshme, e cila me një stil të veçantë loje (“tika-taka”) dominoi në futbollin ndërkombëtar. Gjithsesi, kreu aktual i pankinës mund të jetë jo pak i shqetësuar për statistikat e ekipit. Mbi të gjitha, shqetësimi i tij më i madh është reparti sulmues, që nuk po arrin të bëjë diferencën. Ndeshja e parë kundër Holandës do të jetë një test tepër i rëndësishëm për ta.
Mbrojtja e hekurt Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është zotërimi i topit dhe spanjollët këtë e bëjnë në mënyrë të shkëlqyer. Në fakt, ata kanë mesataren më të mirë në Kupën e Botës sa u përket golave të pësuar, me vetëm 0.3 për ndeshje. Një statistikë që konfirmon hapur se ku bazohet forca e tyre dhe bëhet fjalë për repartin defensiv. Gjatë Kupës së Botës në Afrikën e Jugut ata pësuan vetëm dy gola. Gjithsesi, përballë Holandës së Van Galit do të kenë një nga detyrat më të vështira, pasi mesatarja e golave të shënuar të kundërshtarit është plot 3.4 për ndeshje.
Sulmi i dobët Përgjatë fazës kualifikuese Del Boske provoi disa skema, duke nisur nga 4-2-3-1 në 4-3-3. Gjithashtu provoi edhe disa sulmues, si Torres, Negredo apo Jorente. Gjithsesi, shpresat e përfaqësueses janë përqendruar te Diego Kosta, braziliani i natyralizuar si spanjoll, i cili realizoi një edicion të jashtëzakonshëm me Atletikon e Madridit. Problemi i madh është se ai nuk ka luajtur më tepër se dy ndeshje me iberikët. Por, ka mbi supe peshën për të ndryshuar mesataren e golave të shënuar të Kombëtares, e cila është shumë e ulët, vetëm 1.1 për takim.

Del Boske“Holanda ka ndryshuar, më e frikshme”
Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Visente del Boske, ka deklaruar se Holanda është më e frikshme se në Botërorin e kaluar, ku shkuan deri në finale. “Ne kemi pësuar shumë kam ndryshime, ndërsa kundërshtari e ka bërë në mënyrë radikale. Më saktë, ka plot 17 lojtarë të rinj. Mendoj se janë akoma më të frikshëm. Trajneri Luis van Gal ka formuar një ekip më kompakt, me një stil të ri, i cili i bën më të fortë në mbrojtje dhe me një kundërsulm të rrufeshëm. Jemi përgatitur për ta”, – u shpreh kampioni i botës. Ndërkohë, ai ka komentuar edhe situatën e iberikëve. “Alba ka pasur probleme me dhëmballën dhe jam i shqetësuar për të. Ka pasur dhembje këto ditë. Sa për formacionin, mos më kërkoni që t’ua zbuloj. Nuk jemi para një ndeshjeje miqësore. Kam 23 futbollistë në dispozicion dhe secili prej tyre meriton të luajë që nga minuta e parë. Diego Kosta është i gatshëm, por akoma nuk kam vendosur”, – shtoi ai. I pyetur nëse ky do të ishte Botërori i fundit për ikona si Kasijas apo Ksavi, ai tha: “Ata janë futbollistë që kanë fituar gjithçka në karrierën e tyre. Sigurisht që mosha ndikon, por jam i lumtur që i kam në dispozicion në këtë edicion dhe kam besim që do ta udhëheqin skuadrën te një tjetër triumf”, – përfundoi ai deklaratën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"