Mbrojtësi i Teutës nuk i trembet “finales” në Shkodër: Marrim pikë, Begeja na riktheu besimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2018 | 16:10

Mbrojtësi i Teutës nuk i trembet “finales” në Shkodër: Marrim pikë, Begeja na riktheu besimin

Ndeshja me Vllazninë vlen më shumë se tri pikë për “Djemtë e detit”, që tani e shikojnë veten të parafundit në klasifikim. Përballë është një kundërshtar direkt për mbijetesën dhe që vjen i motivuar në këtë takim pas fitores javën e kaluar, megjithatë ky fakt nuk i shqetë- son bregdetarët. Mbrojtësi Amir Bilali, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, shprehet se Teuta ka punuar fort gjatë javës për ta fituar këtë ndeshje dhe beson se bregdetarët i kanë të gjitha mundësitë për t’u kthyer me rezultat pozitiv nga Shkodra.

“E kemi përgatitur me kujdes këtë takim, edhe pse nuk kemi pasur shumë kohë në dispozicion, pasi në mesjavë luajtëm në Kupë. Është kundërshtar që meriton respekt, por ne ndodhemi në pozita tepër të vështira dhe do të futemi në fushë me dëshirën për të marrë maksimumin, por edhe duke dhënë më shumë se 100%”, tha fillimisht qendërmbrojtësi.

Bilali

Në dy fazat e para, Teuta e ka mposhtur Vllazninë, megjithatë në këtë moment situata është në favorin e tyre. Sipas jush, si janë shanset?

Unë nuk kam qenë në dy fazat e para, por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Në fushë çdo ekip futet për të fituar, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. E dimë që na pret një kundërshtar i vështirë, por fitoret e vështira të shijojnë më shumë. Ne synojmë pikë në Shkodër.

Problemi i Teutës ka qenë reparti defensiv, pëson shumë. Tani që e njihni më mirë skuadrën, çfarë nuk funksionon?

Është e çuditshme në fakt sepse në stërvitje sillemi ndryshe dhe në fushë shfaqim pasiguri. Duhet të jemi më kompakt dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin kur ndodhemi në vështirësi. Megjithatë, kur fitojmë, meritë ka i gjithë grupi dhe e njëjta gjë edhe kur humbasim. E rëndësishme është të mos përsërisim më gabimet që kemi bërë.

Si ka ndryshuar skuadra me afrimin e Begejas?

Është një trajner që e njeh mirë skuadrën, pasi më herët ka qenë pjesë e ekipit U-19. Gjatë këtyre ditëve na ka motivuar dhe ka shfaqur më shumë besim te lojtarët, diçka që ka munguar më parë. Një trajner ambicioz që nuk u trembet sfidave dhe këtë e tregoi duke marrë skuadrën në këtë moment.

Personalisht e ndieni presionin e zbritjes një kategori më poshtë?

Që kur erdha në fillim këtu, e dija që klubi ishte në një pozicion të vështirë, por vendosa t’i bashkohem për të treguar vlerat e mija dhe të ndihmoj ekipin në këtë moment. Deri tani kemi qenë edhe të pafat, megjithatë them se nga kjo javë gjërat do të ndryshojnë.

Si është komunikimi me shokët e skuadrës, duket sikur mungon harmonia?

Nuk mund ta them këtë, këtu ka djem shumë të mirë. Jemi si një familje e madhe dhe punojmë për të arritur të njëjtin objektiv. Mjafton një fitore për t’u rikthyer.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"