Mbrojtësi fierak ngre moralin dhe beson te parakalimi i rivalëve: Në Superiore shkon Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2020 | 16:55

Mbrojtësi fierak ngre moralin dhe beson te parakalimi i rivalëve: Në Superiore shkon Lushnja

Në radhët e lushnjarëve nuk ka vend për panik, jo vetëm sa i takon situatës së pandemisë, por edhe renditjes në kampionat. Vendi i tretë në Grupin B nuk i shqetëson shumë verdhejeshilët, kur ka mbetur edhe faza e “play off”-it për t’u zhvilluar. Përplasjet me rivalët nga dy herë shihen si një mundësi e mirë nga lushnjarët për të fituar pozitat që kanë pasur më parë në kampionat.rubin-nako-653x420

NAKO – Rudin Nako, qendërmbrojtësi i skuadrës së Lushnjës, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, rrëfen së pari ditët e karantinës. Një periudhë e pamenduar kurrë, një situatë krejtësisht e pazakontë edhe për të, si gjithë të tjerët. “Kam më shumë se pesë javë që qëndroj i mbyllur në qytetin e Fierit. Në këtë moment jam duke kryer stërvitje individuale, sipas programit që më ka dhënë stafi teknik.

Një periudhë prej më shumë se një muaji kështu nuk e kisha menduar kurrë. Është shumë e vështirë që një futbollist të qëndrojë i mbyllur, sidomos në këtë periudhë, kur kampionati ka kulmin e tij. Presim që gjithçka të mbyllet mirë, të rifillojmë stërvitjen në mënyrë të organizuar dhe më pas të vazhdojmë me kalendarin e ndeshjeve për të realizuar objektivin tonë sezonal”, thotë mbrojtësi 31-vjeçar.

Nako ka një eksperiencë të gjatë në karrierën e tij, teksa ka luajtur në dy periudha të ndryshme me Apoloninë, me Albpetrolin, Bylisin, Korabin dhe Egnatian.jl

SUPERIORJA – Mbrojtësi fierak thekson se Lushnja mbetet favorite për të kaluar në Kategorinë Superiore, edhe pse aktualisht është e treta në Grupin B. “Kampionati do të rifillojë. Lushnja është momentalisht e treta, por do të luhet edhe një fazë, ku vendoset gjithçka sa i takon objektivit.

Nisem nga përbërjet që kanë skuadrat dhe them që Lushnja ka grupin më të mirë të katërshes. Nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë para se të luhet derbi me Apoloninë. Lushnja ka përbërjen më të mirë, lojtarët më të pjekur dhe është favorite për gjashtë ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.

E ritheksoj se nëse Lushnja fiton derbin me Apoloninë, është favorite absolute për vendin e parë në grup”, ka vazhduar Nako, i cili erdhi në “Roza Haxhiu” gjatë periudhës së janarit. Nako dhe Branica lanë Apoloninë, një rival direkt, dhe u bashkuan me skuadrën e Lushnjës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"