Mbledhje te korçarët, Gvozdenoviç urdhër për arbitrat: Mos flisni për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2023 | 11:30

Mbledhje te korçarët, Gvozdenoviç urdhër për arbitrat: Mos flisni për…

Pas masakrës arbitrale të ndodhur të dielën në ndeshjen ndaj Laçit, drejtuesit e Skënderbeut e kanë parë të udhës që të mundohen të qetësojnë ekipin e ngarkuar emocionalisht nga vendimet që sollën humbjen e takimit dhe ndërprerjen e ecurisë pozitive që zgjaste prej disa javësh. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç rëndësi ka ndeshja e radhës dhe duhet që një moment e më parë të harrohet kjo përballje me Laçin.

gvozdenovic

Ndaj edhe për këtë numri një i pankinës korçare ka nxituar menjëherë për të qetësuar të tijtë përmes një mbledhjeje “urgjente” para seancës stërvitore të ditës së hënë.

“E di që jeni të mërzitur dhe të shkatërruar emocionalisht, por duhet të përballojmë edhe situata të tilla kur nuk ke se çfarë t’i shtosh asaj që ndodhi në lojë. Unë dua t’ju përgëzoj për reagimin dhe grintën që treguat për të përmbysur takimin që për fat të keq meritonim më shumë. Por në disa momente nuk ke se çfarë të thuash, mund të analizosh detajet, por pikët ikin. Duhet të harrojmë gjithçka, ndaj kërkoj nga ju të mos mendoni për asnjë moment ndeshjen e kaluar ndaj Laçit, pasi nuk dua të humbim kohë me analiza të tilla boshe.

Le të përqendrohemi ndaj Vllaznisë dhe të tregojmë forcën e karakterit dhe të grupit që përfaqësojmë. Kjo është me e rëndësishme sesa vajtimi i rasteve të kaluara. Do të luajmë ndeshjen e fundit të vitit dhe dua që ta mbyllim me sukses këtë rrugëtim të gjatë dhe të lodhshëm. Jemi Skënderbeu dhe na takon të luftojmë gjithmonë për fitore. Në fund të fundit do t’ia dalim ne, për këtë jemi të bindur”, u mundua të motivojë, veç të tjerash, trajneri Ivan Gvozdenoviç, ekipin e tij.

GJYKIMI: Më tej numri një i pankinës kërkoi nga lojtarët të jenë sa më etikë dhe të mos merren me gjykimin apo me arbitrat në veçanti.

“Edhe diçka sa u përket prononcimeve në media. Do t’ju lutesha të jeni të rezervuar në komentet për gjykimin. Nuk dua të merremi me arbitrat, nuk është në filozofinë tonë. Ata le t’i gjykojë tjetërkush, ne na takon të komentojmë ndeshjen dhe paraqitjet tona, për këtë mbajmë përgjegjësi. Nuk dua të nxjerrim dufin përmes ngacmimeve për gjykimin. Të paktën ne le të tregojmë se jemi profesionistë”, mbylli fjalimin e tij para ekipit trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"