Mavraj: Falenderoj zotin për golin, sakrifikova për kombin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2015 | 20:30

Mavraj: Falenderoj zotin për golin, sakrifikova për kombin

babiAutogol dhe gol vendimtar. Mërgim Mavraj përjetoi një mbrëmje të mbushur me emocione të forta, por që në fund ishte një prej heronjve të triumfit kuqezi.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare tregon për “Super Sport” javën e vështirë që ka kaluar, por edhe dedikimin për këtë moment të bukur.

Një ndeshje e vështirë, por që e kaluat me sukses dhe ju u bëtë protagonisti kryesor. Mendoni se ishit hajmalia e Kombëtares?

Unë nuk besoj në hajmali. Ishte mbështetja e Zotit që na ndihmoi të gjithëve. Fillimi ishte shumë i keq. Më pas kishim edhe më shumë besim dhe entuziazëm, i cili na drejtoi te fitorja. Ua dedikoj të gjithë tifozëve dhe familjes sime.

Duket se keni filluar ta njihni më mirë golin…

Unë mundohem të bëj detyrën time, duke dhënë maksimumin në fushë. Duke qenë se po shënoj, do t’i kërkoj trajnerit të më aktivizojë si sulmues (qesh). Gjithsesi, jam i lumtur që shënova këtë herë, pasi ishte gabimi im te goli që pësuam.

Rasti i golit, ishte një skemë e përgatitur që më parë në stërvitje?

Jo. Por, si unë, ashtu edhe Cana, shkojmë gjithnjë në ndihmë të sulmit për raste të tilla. Edhe Loriku ka pasur mundësi për të shënuar dhe ka rrezikuar portën kundërshtare. Sigurisht që ka edhe skema të përgatitura më parë, por goli i shënuar sot (dje) erdhi spontanisht.

Si ju duk Armenia?

Ne e prisnim që do ishin një kundërshtar i vështirë. Këtë e treguan duke mos na lënë hapësira në dispozicion. Por, ne besuam te suksesi dhe kjo na dha forcë e durim për të kërkuar me ngulm golat. Pjesën e dytë dominuam totalisht në fushë dhe merituam ta fitonim këtë sfidë.

Për ju ka qenë një javë e vështirë, duke pasur një dëmtim. Duke qenë se jeni futbollist profesionist, pse e morët rrezikun për të luajtur këtë ndeshje?

Ka qenë një javë e vështirë për mua, por siç thotë Zoti në Kuran: “Pas vështirësisë, vjen lehtësimi”. Për më tepër, unë rrezikova për kombin tim dhe, nëse nuk e bëj për të, për çfarë gjëje tjetër duhet ta bëj?!

Si i shikoni shanset për t’u kualifikuar në EURO 2016?

Ky është një moment shumë i mirë, por ne nuk kemi arritur ende asgjë. Sigurisht që duhet ta shijojmë këtë situatë, pasi e meritojmë. Kemi bërë paraqitje mjaft të mira dhe kemi marrë rezultate pozitive. Gjithsesi, akoma nuk kemi realizuar objektivin. Na presin ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vështira gjithashtu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"