Marjus Ngjela: Partizani s’ka nevojë për aleat, fiton derbin, tifozët kanë të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2015 | 12:55

Marjus Ngjela: Partizani s’ka nevojë për aleat, fiton derbin, tifozët kanë të drejtë

NgjelaMarius Ngjela e veshi fanellën e Partizanit në ditët më të vështira të klubit kryeqytetas, në sezonin 2008-2009, kur trajner ishte Shpëtim Duro. Sulmuesi korçar pohon se Partizanit nuk i shkon përshtat të bëhet pjesë e aleancave, pasi këtë gjë nuk e bëri edhe në ditët e ekzistencës.

Prandaj Ngjela e përligj zemërimin e tifozëve pas eliminimit nga Kupa me Laçin. Ish-sulmuesi pohon se ekipi e ka vetë në dorë për të thyer “akullin” me tifozërinë, pasi një fitore në derbin e së premtes do ta stabilizonte situatën.

Ngjela ka besim në triumfin e radhës të “demave” ndaj bardhebluve dhe dyshen Mazrekaj-Fazliu i shikon si përcaktuesit e sfidës. Për sa i përket titullit kampion, korçari shikon si më të favorizuar ekipin e vendlindjes, Skënderbeu.

Marius, tifozët e Partizanit kanë ditur ta mbështesin ekipin edhe në ditë të vështira, siç ishte koha kur ju luanit me të kuqtë. Si e shpjegoni këtë “ftohje” të fundit të tifozërisë me klubin?

Tifozët kanë gjithmonë të drejtë, aq më shumë kur bëhet fjalë për tifozërinë e kuqe, e cila gjithnjë ka gjetur mënyrat për të qenë pranë klubit e lojtarëve edhe në ditët më të vështira. Partizani nuk ka nevojë për aleatë, sepse është Partizani. Aleancat zbehin fizionominë e të kuqve, çka nuk pranohet as nga “Guerrilsat”. Prandaj është mirë që tifozët ta mbështesin ekipin në derbi, pasi Partizani është ende i përfshirë në betejën për të fituar titullin kampion.

Eliminimi në Kupë bëri që të shpërthejë zemërimi i tifozëve. Ju si e vlerësoni këtë hap të fundit të “demave të kuq” në Laç?

Nuk mund ta gjykoj dot atë që ka ndodhur, pasi nuk jam në brendësi të situatës apo politikave që ka klubi. Nuk duket normale, pasi, siç e thashë edhe më lart, Partizani asnjëherë nuk ka qenë pjesë e aleancave. Se nuk kishim aleatë, ramë padrejtësisht nga kategoria në sezonin 2008-2009. Ose më saktë, duke parë që Partizani kishte aleatë vetëm tifozët e saj, të gjithë u bënë aleatë duke i dhënë nga një dorë rrëzimit të legjendës. Në këtë aspekt është legjitim zemërimi i tifozëve, pasi aleancat nuk i kërkuan as në ditët e ekzistencës, jo më tani që bëhet fjalë për një Partizan pretendent.

Sipas jush, a i ka mundësitë Partizani të shpallet kampion pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë?

Personalisht edhe këtë sezon si kampion të Kategorisë Superiore shikoj Skënderbeun, sepse ka ekip më të kompletuar se kundërshtarët e tjerë. Ndërsa Partizanin e shikoj si pjesëmarrës në Kupat e Europës.

Të premten luhet derbi i radhës. Cili është mendimi i Ngjelës për këtë kryendeshje të javës së 24-t?

Derbet zakonisht kanë më shumë vlerë për tifozët që i mbështesin skuadrat. Prandaj lojtarët e Partizanit duhet ta fitojnë këtë takim të së premtes, pasi ia kanë borxh tifozërisë më të mrekullueshme në Shqipëri. Derbi mbetet gjithnjë i paparashikueshëm, por them se edhe këtë radhë Partizani do të triumfojë ndaj Tiranës.

Pse jeni kaq i bindur në suksesin e të kuqve?

Besoj te fitorja e Partizanit thjesht duke u nisur nga ajo çfarë kanë dhënë skuadrat në kampionatin aktual. Ekipin e trajnerit Duro e shikoj më kompakte dhe bën lojë më të mirë se Tirana, prandaj edhe kësaj radha ngjyra e kuqe do të triumfojë ndaj bardhebluve.

Meqë për ju fiton Partizani, cili lojtar mendon se do ta zgjidhë këtë derbi të radhës?

Mazrekajn dhe Fazliun i shikoj në një formë të mirë dhe kam besim se kjo dyshe do të bëjë të njëjtën gjë si ndaj Teutës në ndeshjen e fundit. Gjithsesi, në derbi pak rëndësi ka kush shënon, primare mbetet suksesi. Për të qetësuar situatën e krijuar, futbollistëve të Partizanit u del për detyrë që të fitojnë me çdo kusht me rivalët historikë, pasi kjo është mënyra më e mirë për të thyer “akullin” e krijuar me tifozët. Pra, një fitore me Tiranën shërben si një rregullator në kampin e kuq, por mund të ndodhë edhe e kundërta.

Përgatiti: Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"