“Lushnja nuk heq dorë nga objektivi, vendi i gjashtë”, Basha: Kësaj radhe, histori ndryshe me Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 16:41

“Lushnja nuk heq dorë nga objektivi, vendi i gjashtë”, Basha: Kësaj radhe, histori ndryshe me Korabin

Lushnja nuk ia arriti të marrë pikë në ndeshjen e fundit të fazës së dytë në Peshkopi. Skuadrën verdhejeshile e pret një tjetër transfertë me Korabin, por kësaj radhe përkon me fillimin e fazës së tretë. Tashmë në duelin e dytë radhazi me dibranët, skuadra e drejtuar nga trajneri Magani do të kërkojë një tjetër rezultat, nga ai i së dielës së fundit.

Basha

Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi lushnjar Adriatik Basha deklaroi: “Kampionati ka hyrë në një fazë interesante dhe skuadra përgatitet që në çdo ndeshje të japë më të mirën e saj. Do të jemi sërish në transfertë dhe sërish me Korabin. Është një ndeshje shumë e vështirë. Në çdo takim ne luajmë për pikët maksimale. Kemi objektiv vendin e gjashtë dhe nuk heqim dorë, ndaj për ta realizuar duhen pikët. Madje këto duhen edhe në këto transferta të vështira”.

Qendërmbrojtësi Basha luan sezonin e gjashtë radhazi me skuadrën lushnjare. Tashmë 25 vjeç, përvjetor të cilin e festoi në fushën e lojës kundër Korabit, Basha në fund u shpreh: “Nga kjo fundjavë do të nisim fazën e tretë dhe do të luajmë fillimisht me gjashtë skuadrat e para. Do të kemi përballë sërish Korabin, por kësaj radhe shpresojmë në një tjetër rezultat. Ekipi vijon të përgatitet mirë dhe do të japim maksimumin tonë, që ta kalojmë me sukses këtë ndeshje.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"