Lushnja gjunjëzon Elbasanin në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2016 | 14:51

Lushnja gjunjëzon Elbasanin në miqësore

Në stadiumin “Roza Haxhiu”, Lushnja ka mundur Elbasanin 2-1, në një miqësore ku skuadra e teknikut Bano e ka dominuar plotësisht. Trajneri i Lushnjës e ka nisur përgatitoren me lojtarët alternativë dhe me disa futbollistë të afruar së fundmi. Gjatë zhvillimit të takimit, temperaturat kanë qenë shumë të larta, ndërsa të pranishëm ishin rreth 100 tifozë.

ndeshja-Lushnja-Elbasani-2-

Pjesa e parë

Verdhëjeshilët kanë krijuar menjëherë epërsi duke kaluar në avantazh me anë të kuçovarit Ergys Alushi. Mesfushori 30-vjeçar shndërroi në gol një goditje dënimi të dhënë nga gjyqtari Laver Alla, me një goditje mjeshtërore që fitoi duartrokitjet e publikut të tribunës qendrore. Lushnja vijon të prezantohet mirë dhe dyfishon shifrat me Renato Dervishin. Mbrojtësi i djathtë i lëshon një diagonale që është devijuar paksa dhe topi ka pushuar në rrjetë.

lushnjaPavarësisht se është një miqësore, loja ka një ritëm të admirueshëm. Është Elbasani që përmirësohet ndjeshëm dhe shënon me Fortunaton. Pas një veprimi të bukur të veteranit Hyshmeri nga e majta, Fortunato godet fort brenda zonës dhe shënon 2-1.

Pjesa e dytë

Pas pushimit në fushë ndërrohet treshja e gjyqtarëve, ndërsa në skuadrën myzeqare mbesin në fushë vetëm Alushi dhe Ruço. Midis lojtarëve kryesorë aktivizohen edhe të rikthyerit Branica e Canka si dhe Magani që do të debutojë me Lushnjën këtë sezon. Me fillimin e minutave të pjesës së dytë edhe Dosti nis ritualin e zëvendësimeve, por ekipi verdheblu duket pak larg barazimit.

Verdhëjeshilët dominojnë edhe këtë pjesë, por pa mundur të ngrenë shifrat. Taullau godet me kokë dhe pret Kotorri. Canka kërkon një penallti, por në fund ka një shtrëngim duarsh me Kotorrin. Në aksionin e radhës Canka jep një asis për Bufasin dhe mbrojtësi godet fort, por Papri që sapo kishte hyrë në vend të Kotorrit grushton shkëlqyer. Minutat kalojnë dhe pavarësisht rasteve të vendasve, rezultati do të mbetet i pandryshuar.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"