Plot lojtarë në provë, Erkoçeviç te Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2014 | 11:42

Plot lojtarë në provë, Erkoçeviç te Apolonia

erkocevicApolonia mbetet e fokusuar në merkaton e janarit. Synimi i drejtuesve është vetëm përforcimi i repartit të sulmit, pasi pjesa tjetër e skuadrës ka treguar stabilitet dhe një formë të mirë. Disa lojtarë të kombësive të ndryshme janë afruar nga disa menaxherë duke u vënë dhe në provë, por asnjë prej tyre nuk ka plotësuar kushtet e vëna nga trajneri Elidon Demiraj dhe stafi i tij teknik. Këta të fundit kërkojnë lojtarë cilësorë dhe me përvojë, që dinë të shënojnë lehtë në portat kundërshtare. Por me të provuarit e deritanishëm ka ndodhur e kundërta. Megjithatë, dje ka dalë në stërvitje me skuadrën një tjetër sulmues. Bëhet fjalë për shkodranin Bekim Erkoçeviç, që do të qëndrojë disa ditë në provë me Apoloninë dhe më pas do të jepet një përgjigje përfundimtare nga tekniku Demiraj. Më parë, lojtari ka luajtur me Vllazninë, Burrelin, Adën dhe Veleçikun. Ndërkaq, një nga lojtarët më me përvojë në këtë ekip, portieri 30- vjeçar Eduart Miço, në fazën e parë në 11 ndeshje ku është aktivizuar, ka pësuar vetëm 4 gola. “Apolonia nuk do ta diskutojë për asnjë moment ngjitjen në Superiore. Kemi zhvilluar një fazë të parë shumë të mirë, megjithëse kemi lënë disa pikë me barazimet e arritura që me pak më shumë kujdes dhe fat mund t’i kishim kthyer në fitore. Tashmë na pret një fazë e dytë shumë më e fortë dhe e vështirë, pasi të gjitha ekipet do të kërkojnë të arrijnë synimet e tyre. Por, kjo nuk na tremb, përkundrazi, na ka mobilizuar e motivuar për ta shfrytëzuar në maksimum këtë fazë përgatitore dimërore”, përfundon prononcimin e tij gardiani i skuadrës fierake.
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"