Luftëtari “hedh grepat” te Kamza, gjirokastritët interesohen për mesfushorin shkatërrues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2019 | 17:22

Luftëtari “hedh grepat” te Kamza, gjirokastritët interesohen për mesfushorin shkatërrues

Në Gjirokastër janë duke menduar për merkaton e verës. Për të mos hedhur asnjë hap fals, drejtuesit e Luftëtarit nga burime konfidenciale mësohet se janë hedhur në sulm për shërbimet e mesfushorit shkatërrues, brazilianit Bruno Arrabal.

arrabal

Ish-mesfushori shkatërrues i Kamzës, 26- vjeçari Arrabal është në planet e drejtuesve bluzinj, të cilët edhe më herët kanë shfaqur interes për shërbimet e shtatlartit brazilian. Sakaq, për Luftëtarin java e 25–të është pushim.

Rivali i Luftëtarit, Kamza është penalizuar nga Komisioni i Disiplinës. Ditët e ndërprerjes për trajnerin Julian Ahmataj janë arsye më shumë për të pasur të gatshëm gjithë kontingjentin bluzi. “Natyrisht që ditët e ndërprerjes së kampionatit kanë bërë mirë si për të gjitha skuadrat, ashtu edhe për ne”, pati thënë një ditë para ndeshjes me Partizanin, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

Dhe në fakt, përballja me Partizanin tregoi se lojtarët e aktivizuar si Hanti, Ymeraj, Rrapo e ndonjë tjetër, e kanë kapërcyer pauzën e lëndimeve të lehta. Në njëfarë mënyre, kjo periudhë pushimi për Luftëtarin në “miniaturë”, duket si minifazë përgatitore e vlefshme për të fituar sa më shumë kohë për harmonizimin e lojtarëve të afruar në merkaton e janarit.

Dhimitris Koconis dhe Angelos Hanti për stafin teknik të Luftëtarit janë bast i fituar, edhe pse fantazistit Hanti i duhen më shumë “muskuj” në fushë. Përgatitjet individuale dhe në grup nuk kanë munguar, teksa elementë të veçantë si Maldin Ymeraj dhe më të rinjtë kanë frekuentuar palestrën. Për të mbajtur në tonus bluzinjtë, stafi teknik mësohet se ka programuar një plan të detajuar për vijimësinë e procesit stërvitor, që starton ditën e sotme.

Nga trajneri Julian Ahmataj mësohet se është projektuar programi i duhur i ndarë në ditë të veçanta edhe me ndeshje testuese brenda grupit, pa përjashtuar mundësinë e ndonjë përballjeje miqësore. E vetmja mungesë për Luftëtarin është ajo e mesfushorit Albano Aleksi të pezulluar nga Komisioni i Disiplinës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"