Lot e tronditje për tragjedinë e Duamenës, Gvozdenoviç merr vendimin për lojtarët e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2023 | 23:23

Lot e tronditje për tragjedinë e Duamenës, Gvozdenoviç merr vendimin për lojtarët e Skënderbeut

Ngjarja e kobshme që tronditi krejt opinionin sportiv e ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të sulmuesit të Egnatias Rafael Duamena erdhi si një rrufe në qiell të hapur edhe në Korçë. Klubi menjëherë u solidarizua me ngjarjen e ndodhur përmes reagimeve në faqen zyrtare. Por jo vetëm kaq.

SKENDERBEU

Korçarët kanë qenë në hotel në përgatitjet e fundit për t’u nisur drejt stadiumit kur kanë parë atë ngjarje të tmerrshme. Burime për gazetën bënë me dije se heshtja ka përfshirë gjithë ambientin bardhekuq, madje ka pasur edhe lot për atë që ndodhi me sulmuesin ganez.

Duket sikur gjithçka ngeci në hotelin e Skënderbeut aq sa gjithkush harroi ndeshjen me Teutën që fillonte në orën 17:00, por u ngurtësuan para televizorit për të mësuar lajmet mbi shëndetin e lojtarit. Lajme që për fat të keq ishin më të tmerrshmet e mundshme.

Ka qenë trajneri Gvozdenoviç ai që ka mbledhur lojtarët e tij për t’i kërkuar të qetësoheshin dhe të merrnin pushim ditën e shtunë, pasi u mor lajmi për anulimin e ndeshjes.

Pushim që zgjati edhe të dielën për të qetësuar gjithçka që ka të bëjë me aspektin human dhe psikologjik të lojtarëve. Të njëjtat burime bëjnë me dije se trajneri ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër para lojtarëve që ishin me lot në sy në ato momente.

Pritet që gjithçka të rifillojë sot me një seancë stërvitore por ende asgjë nuk është e konfirmuar në lidhje me orarin dhe programin e ekipit.

Nga ana tjetër klubi bardhekuq, presidenti Takaj dhe stafi i Skënderbeut e lojtarët kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi drejtuar klubit të Egnatias dhe presidentit Demrozi për ngjarjen tragjike në “Egnatia Arena”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"