Liçi: Skënderbeut i mungoi eksperienca, duhet të bënim më shumë në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 21:50

Liçi: Skënderbeut i mungoi eksperienca, duhet të bënim më shumë në kampionat

Është kohë bilancesh te Skënderbeu me një vit kalendarik të mbyllur tashmë zyrtarisht, korçarët ndërtojnë grafikun në bazë të rezultateve të arritura. Për zëvendëstrajnerin e Skënderbeut, Gentian Liçi, ky vit është pozitiv dhe brenda pritshmërive edhe për faktin se korçarët siguruan kalimin në elitë.

lici

Gentian, ky vit për Skënderbeun ka qenë një vit pozitiv?
Mund të them se ka qenë një vit brenda pritshmërive, sepse kemi arritur të mbajmë objektivat e sezonit të kaluar dhe këtë sezon jemi brenda tyre. Së pari, sa i takon sezonit të kaluar, kemi arritur rikthimin në elitë atje ku i takon Skënderbeut dhe kjo sigurisht që i jep konotacion pozitiv këtij viti. Dy fazat e para të këtij sezoni kishim mundësi që të bënim më shumë, sepse forcat janë më të mëdha për të arritur rezultate më të mira. Pavarësisht se kemi pasur edhe oshilacione dhe për këtë jemi koshientë. Gjithçka vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së eksperiencës, pasi janë lojtarë të rinj, por që kanë shumë cilësi.

Cilat janë ato ndeshje që për stafin dhe klubin kanë krijuar keqardhje apo pengje?
Tani ka ndeshje që luhen mirë dhe nuk merr rezultat ashtu siç ka ndeshje që luan jo mirë dhe merr tri pikët. Futbolli është i tillë, megjithatë ndeshjet dihen se cilat janë ato që ne kemi peng. Por nëse ndalemi te ndeshja e fundit me Vllazninë që ishte rezultati shumë i keq për ne. Kanë qenë gabime individuale në pasime shumë të thjeshta. Për këtë na vjen keq.

Ndeshjet me Kukësin, Teutën dhe Laçin në shtëpi…
Ndeshja më e keqe jona është ndeshja me Teutën, jo për humbjen, por për atë që kemi treguar në fushë. Sigurisht që ne kërkojmë të kemi ecuri të mirë për gjithë sezonin. Na vjen keq, por do të mundohemi të ndryshojmë shumëçka në vazhdim.

Diferenca prej 6 pikësh nga vendi i fundit i jep qetësi ekipit?
Është një kampionat i fortë ku të gjitha ekipet kanë objektivat e tyre dhe janë brenda objektivave, pasi edhe diferencat janë shumë të pakta. Po t’i shohësh gjithë ekipet mund të arrijnë në katër vendet e para. Këtu ndikojnë shumë gjëra dhe ka ende rrugë për të bërë.

A është Skënderbeu ekipi që mund të qëndrojë në katër vendet e para të renditjes?
Ne jemi Skënderbeu dhe e dinë të gjithë se çfarë kërkojmë, por duke qenë se jemi në rinovim të ekipit duhet t’u japim lojtarëve kohën e tyre që të jenë gati për këtë objektiv që ne kemi. Duhet pak durim dhe them se mund të kemi rezultate shumë më të mira në vazhdim.

Çfarë pritet të sjellë merkatoja?
Nuk kam informacion në lidhje me këtë pjesë, pasi merren presidenti dhe stafi i tij me këtë gjë. Ne jemi të fokusuar te puna dhe mendoj se jemi në rregull kështu siç jemi tani.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"