Largohet Bruno Dita, revolucion te Teuta gjatë merkatos së verës

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 31, 2017 | 10:40

Largohet Bruno Dita, revolucion te Teuta gjatë merkatos së verës

Tashmë që kampionati ka përfunduar te skuadra e Teutës, pritet të ketë shumë lëvizje sa u takon afrimeve dhe largimeve të futbollistëve. Momentalisht, Çyrbja, Sykaj, Tarik dhe Hila vazhdojnë të jenë nën kontratë me klubin, ndërsa Progni dhe Markoviç mund të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit edhe për sezonin e ardhshëm. Dy lojtarët kanë përfunduar kontratat e tyre, por falë asaj që kanë dhënë në fushë mund t’u kërkohet që të vazhdojnë aktivizimin e tyre me skuadrën.

Vllaznia-Teuta-dyluftim-653x380

Gjithashtu do të mbetet për t’u parë se çfarë do të bëhet me të ardhmen e Mustës, Hodos dhe të riut Beqja. Portieri Kastrati, nga ana tjetër, mund të rikthehet te Peskara, pasi huazimi i tij ka përfunduar. Aktualisht nga ekipi janë larguar Ribaj, Magani, Borshi dhe listës në vijim do t’i shtohen edhe Moçka, Kotobelli, Erando dhe Rustem Hoxha, Faizal e Papa.

Pra, pothuajse i gjithë ekipi titullar që mbylli sezonin nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Magani. Lojtarët në fjalë do të zëvendësohen me të rinj që do të vijnë nga merkato, por për momentin nuk ka asnjë emër konkret. Gjithsesi, me fillimin e përgatitjeve do të zbardhen edhe përforcimet e merkatos durrsake.

DEKLARATA

Mesfushori Bruno Dita ka mbajtur shiritin e kapitenit te skuadra durrsake në ndeshjet e fundit të sezonit dhe në një prononcim për “Panorama Sport” ka bërë me dije se do të largohet nga ekipi.

bruno dita

“Mund të konfirmoj se nuk do të jem më pjesë e skuadrës së Teutës, ku kam kaluar vite shumë të mira dhe jam rritur profesionalisht. Vjen një moment që rrugët ndahen dhe për mua ky është momenti. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu edhe presidenti është treguar korrekt ndaj meje dhe gjithë skuadrës.

Ndërsa profesor Maganit i uroj suksese me skuadrën. Kam mësuar shumë nga ai dhe e respektoj pa masë. Në të ardhmen do të shoh për një tjetër skuadër ku mund të vazhdoj karrierën time”, ka mbyllur Dita, i cili ka qenë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e skuadrës bregdetare.

Në sezonin që sapo u mbyll, Teuta siguroi mbijetesën një javë para fundit të sezonit, duke qenë shumë larg objektivit. Sezonin e ri durrsakët do të kenë objektiv që të jenë në vendet e para të tabelës së klasifikimit.

JETON REXHMATI






www.minuta90.com