“Laçi luan njësoj si me mua”, Nica kundër skuadrës që ndërtoi vetë: Kukësi nuk e përsërit Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 9:30

“Laçi luan njësoj si me mua”, Nica kundër skuadrës që ndërtoi vetë: Kukësi nuk e përsërit Partizanin

Stavri Nica rigjen Laçin e “tij” këtë të diel, teksa do të përpiqet të fitojë me Kukësin dhe t’i largohet vendit të fundit që mban në klasifikim. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” përpara kësaj sfide, tekniku durrsak shprehet se kurbinasit nuk kanë ndryshuar shumë nga koha kur i drejtonte ai, por nuk e sheh si avantazh për skuadrën e tij. Për Nicën, vetëm krijimi i mentalitetit për të fituar ndeshjet mund të përbëjë avantazh, ndërsa me bardhezinjtë e cilëson si një ndeshje të vështirë dhe me shumë rëndësi. Teknikut i pëlqen fakti që skuadra ka dëshirë të punojë dhe ky fakt i jep besim se do të vijojnë të përmirësohen ende.

Nica Kukesi

Këtë javë rigjeni Laçin, ishskuadrën tuaj. Si e prisni këtë ndeshje?

Së pari, për ne është një ndeshje më shumë rëndësi. Më pas, është edhe kjo pjesa tjetër, ku bëhet fjalë për skuadrën që unë kam punuar gjithë verën. Është e vështirë si ndeshje, por ne do të bëjmë punën tonë dhe jemi përgatitur maksimalisht këtë periudhë me aq sa dimë dhe mundësi kemi dhe shpresojmë për mirë.

Sa ka ndryshuar kundërshtari nga koha kur e drejtonit ju?

Pak a shumë po atë përbërje kanë afërsisht, me ndonjë lëvizje të vogël. Mendoj se nuk ka shumë ndryshime, është po ai grup me atë mënyrë loje.

Përbën avantazh për ju, meqenëse e njihni?

Vetëm krijimi i mentalitetit për të fituar ndeshjet mund të përbëjë avantazh. Po nuk pate dëshirë dhe përqendrim gjatë gjithë kohës, nuk mund të marrësh rezultate. Nuk duhet t’ia lësh këtyre zgjidhjeve të momentit apo inatit për të marrë pikë. Çdo gjë vjen në bazë të stërvitjes dhe logjikës.

Vini pas një ndeshjeje ku keni pësuar katër gola. I druheni sërish të njëjtave gabime?

Nuk besoj se do të përsëritet më, pasi janë situata që ndodhin në ndeshje të veçanta. Presioni i kundërshtarit ndoshta bën të vetën, por nuk kam frikë nga ndonjë përsëritje.

Sa potencial ka Kukësi për të rivalizuar me ekipet e tjera, duke qenë se po mbyllet një fazë dhe keni luajtur me të gjitha?

 Mua më pëlqen dhe më jep besim fakti që skuadra vazhdon të punojë. Të jep shumë shpresë dhe besim kjo gjë. Ndaj, do të vazhdojmë përpara me punë për të arritur synimet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"