Laçi ende pa trajner, ish-tekniku i Tiranës kandidat për stolin e kurbinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2018 | 17:39

Laçi ende pa trajner, ish-tekniku i Tiranës kandidat për stolin e kurbinasve

Para ndeshjes me Luftëtarin, situata te Laçi është trazuar ndjeshëm, ku trajneri Artan Mërgjyshi është larguar nga drejtimi i skuadrës kurbinase. Mësohet se shkak për prishjen e atmosferës dhe marrëdhënieve mes trajnerit Mërgjyshi dhe presidentit Pashk Laska kanë qenë dy humbjet radhazi që pësuan bardhezinjtë. Ndonëse ishin ndeshje të konsideruara brenda, sipas kalendarit, Laçi luajti në “Elbasan Arena”, ku edhe u mund 3-0 nga Teuta dhe 1-0 nga Kukësi.

gugash magani

Për shkak të punimeve në tapetin e stadiumit, kurbinasit u ndëshkuan nga faktori fushë. Pas largimit të trajnerit Artan Mërgjyshi, që pati një ecuri pozitive, 16 pikë në 10 javë, drejtimi i ekipit i është besuar ndihmësit të tij, Migen Memelli. Ish-sulmuesi do të debutojë nesër ndaj Luftëtarit, por Memelli shikohet si trajner provizor. Në këto kushte, Gugash Magani është emri më i përfolur për të marrë drejtimin e Laçit.

Trajneri peqinas sapo ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Trepça’89 në Kosovë, kështu që mbetet për të parë se si mund të avancojnë bisedimet mes palëve. Aktualisht, Magani është trajner i lirë dhe nëse palët konvergojnë në idetë e tyre, nuk është çudi që pas ndeshjes me Luftëtarin, Gugash Magani të marrë drejtimin e Laçit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"